Të rinjtë: Korrupsion në të gjitha institucionet

13.11.2016 14:50:19

Shkalla e lartë e korrupsionit dhe e krimit të organizuar, janë potencuar në raportet e progresit të Komisionit Evropian, si edhe në raportet hulumtuese të organizatave tjera ndërkombëtare e vendore si një prej problemeve më të mëdha të zhvillimit të shtetit të Kosovës.

Edhe disa të rinj të anketuar për rubrikën “VOX” të Radios Evropa e Lirë, konsiderojnë se korrupsioni është i pranishëm në të gjitha institucionet.

Ndriçim Grajçevci, student në Fakultetin Ekonomik, mendon se korrupsioni është i pranishëm në shumë institucione.

“Niveli i lartë i korrupsionit në Kosovës është kryesisht në institucione qeveritare. Mirëpo, edhe policia nuk është që mund të jetë imune ndaj këtij fenomeni. Në përgjithësi, mund të dëgjojmë raste të ndryshme kryesisht nga policët rrugorë, ndoshta për një rast të korrupsionit apo shkelje të tjera shpejtësisë apo edhe rripit të sigurimit”, thotë Ndriçimi.

Genc Bajrami, po ashtu, student në Fakultetin Ekonomik, konsideron se çështja e korrupsionit në Kosovë është shumë problematike.

“Aq shumë ka nivel të korrupsionit në vendin tonë, sa që edhe pas diplomimit, nëse e mendon punën ose diçka, gjithmonë të vjen një drojë, te krejt të rinjtë, se si do të arrijnë të fitojnë një vend pune. Në përgjithësi, nuk e ndiej veten të sigurt në vendin tonë”, shprehet Genci.

Martin Ukaj, sportist nga qyteti i Prizrenit, thotë për Radion Evropa e Lirë se për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit, nuk beson në shumë institucione.

“Kosova po dihet se si është duke ecur… edhe është shumë problem t’i besojmë Qeverisë. Si t’i besohet… ka humbur besimi krejt”, shprehet Martini.

Artan Murati, i cili punon në një nga organizatat joqeveritare në Kosovë, thotë se shumë raporte vendore dhe ndërkombëtare kanë treguar se në Kosovë, korrupsioni është i pranishëm.

“Nëse bazohemi në raportet, qoftë të organizatave ndërkombëtare, por edhe të atyre të brendshme të shoqërisë civile, e shohim që realisht korrupsioni është problemi kryesor në vend dhe normalisht që ka një shtrirje shumë të madhe”, thekson Artani.

Ndërkaq, Leutrim Latifi thotë se ka qenë dëshmitar i një rasti ku ka vërejtur se ka ndodhur korrupsioni.

“Kam pasur rastin me policinë, për shembull. Kam parë rastin kur ka dashur ta dënojë, atëherë ka ndodh korrupsioni, shoferi ka qenë duke u dënuar dhe i ka dhënë para policit. Këtë e shoh unë si një lloj korrupsioni”, tregon Leutrimi.

Raste të korrupsionit, studenti Ndriçim Grajçevci thotë se ka pasur edhe në fakultete.

“Për shembull gjatë regjistrimeve në fakultet, ne kemi pasur mundësi të dëgjojmë për ndonjë regjistrim që ka ndodhur deri në afatin e tretë, i cili nuk është ndoshta në letra, por kanë ndodhur regjistrime të tilla”, tha ai.

Edhe Violeta, një qytetare nga Prishtina, tregon një rast të saj. “Sa kam qenë unë në praktikë në institucione të Kosovës, kam dëgjuar se më lehtë e fiton punën nëse e njeh dikë. Pa e njohur dikë, nuk ke shanse me hy [aty]. Sa kam qenë aty në praktikë, ata më kanë treguar mua që pas praktikës, nuk ke shans të mbetesh aty nëse nuk ke të njohur”, tha ajo.

Rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sidomos të nivelit të lartë, tashmë janë shndërruar në kusht për Kosovën nga ana e Komisionit Evropian, për liberalizim të vizave.

Kosova konsiderohet vendi më i varfër në Evropë dhe me shkallë të lartë të papunësisë.

Por, pavarësisht këtyre fakteve, Kosova ka edhe elitën e vet politike, që në të shumtën e rasteve përbëhet jo vetëm nga biznesmenë, por nga zyrtarë të lartë të institucioneve qendrore dhe lokale, që figurojnë si milionerë me pasuritë e tyre.