“Të vjetrit” jashtë Kuvendit të Maqedonisë

21.10.2016 17:06:05

Në listat e BDI-së të sigurt janë vetëm ministrat e rinj, ndërsa vend do të ketë edhe për një ose dy deputetë nga të vjetrit për shkak të kontinuitetit të punës së Parlamentit. Në PDSH aktualisht i sigurt është vetëm kryetari Menduh Thaçi, njëjtë sikurse kreu i LR-PDSH-së dhe Lëvizjes Besa. OBRM-PDUKM do garojë pa zyrtarët e përfolur në përgjime, derisa LSDM zgjerohet me profile të ndryshme edhe nga organizatat joqeveritare, shkruan gazeta Koha.

Bashkë me rrjedhjen e afateve për zgjedhjet e 11 dhjetorit, kanë nisur edhe kalkulimet me emrat e kandidatëve për deputetë në listat e partive politike. Katër partitë më të mëdha politike tashmë kanë vendosur që bartës të Listave për deputetë në gjashtë Njësitë zgjedhore të jenë kryesisht emra të rinj, ndërsa tek shqiptarët – deputetët aktual të BDI-së kanë shumë pak gjasa që të jenë sërish në kombinatorikat fituese në këto zgjedhje. Pjesa më e madhe e tyre tashmë kanë nga dy-tre mandate deputeti, ndërsa merret vesh se kreu i partisë, Ali Ahmeti, në disa raste u ka bërë të ditur se të njëjtit nuk do të jenë në Listat e kandidatëve.

Tani për tani – një është e sigurt. Ministrat aktual e që u emëruan pas shkarkimit të ministrave “të vjetër”, do të jenë në vendet fituese në gjashtë Njësitë zgjedhore. Zëvendëskryeministri Festim Halili, ministrja e Vetëqeverisjes Lokale, Shiret Elezi dhe ministri i Drejtësisë, Valdet Xhaferi, do të jenë në kreun e listës në Njësinë 6 zgjedhore, ndërsa Arbër Ademi, zëvendëskryeministër për eurointegrime dhe ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi në Njësinë 2 zgjedhore. Emri i Bashkim Ametit, ministër i Ekologjisë, do të jetë në Njësinë 1 zgjedhore. “Në BDI, deputetët me nga dy dhe tre mandate nuk kanë gjasa ta gjejnë vetën në listat e kandidatëve. Kryetari Ahmeti tashmë është i vendosur që të sjellë freski edhe në përbërjen parlamentare, ashtu siç solli freski në përbërjen e kabinetit qeveritar”, thonë burime të BDI-së për gazetën KOHA. Për shkak të kontinuitetit, një deri në dy deputetë nga “të vjetrit” mund të gjendet në listat e deputetëve që do të jenë pjesë e Parlamentit pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, thonë të njëjtat burime. Edhe PDSH po mendon të freskojë listat e kandidatëve në Njësitë zgjedhore, njëjtë sikurse OBRM-PDUKM dhe LSDM. Në PDSH, si emër i sigurt aktualisht është vetëm kryetari Menduh Thaçi që do të garojë në Njësinë 6 zgjedhore, aty ku garon edhe Ali Ahmeti i BDI-së. Në OBRM-PDUKM tashmë konfirmohen zërat për ndryshime rrënjësore në listat e deputetëve të mundshëm në zgjedhjet e 11 dhjetorit.

E sigurt është se në VMRO, përveç ish-kryeministrit Nikolla Gruevski që do të kryesojë Njësinë 1 zgjedhore, nuk do të kandidaohen emrat e gjithë atyre zyrtarëve që janë përfolur në “bombat” e LSDM-së, e të cilët tanimë po hetohen nga Prokuroria Speciale. Kështu që, ish-ministrat Zoran Stavreski, Gordana Jankullovska, Mile Janakieski nuk përmenden në asnjë kombinim në listat e OBRM-PDUKM-së, ndërsa nga deputetët aktual, edhe Antonio Milloshoski nuk do të jetë në përbërjen e ardhshme parlamentare. Milloshoski tashmë ka bërë të ditur se do të nis karrierën si noter. Kalkulime me listat e deputetëve kanë bërë edhe partitë jashtëparlamentare.

Lëvizja BESA tashmë ka të sigurt kreun e listën në Njësinë 6 zgjedhore me Bilall Kasami, i pasuar nga Fadil Zendeli i RDK-së. Në Njësinë 1 dhe 2 përmendet emri i sekretarit të përgjithshëm të partisë, Afrim Gashi dhe nënkryetarit Zeqirija Ibrahimi. RDK e Fadil Zendelit do të ketë emër në kombinatorik fituese edhe në Njësinë 2 zgjedhore. Në LR-PDSH, i sigurt si bartës liste është vetëm emri i Ziadin Selës në Njësinë 5 zgjedhore dhe Veseli Memedit në Njësinë 6 zgjedhore, i pasur nga dr.Arben Taravari. Në Njësinë 5 do të jetë edhe dr.Bekim Tateshi, ndërsa në Njësinë 1 dhe 2 akoma nuk përmendet asnjë emër i mundshëm. Megjithatë, tani pas marrëveshjes për koalicionim edhe me UNITETI-t e Gëzim Ostrenit, po mendohet që Sela të jetë bartës në Njësinë 6 zgjedhore, ndërsa Ostrenit t’i lihet vend në Njësinë 5, meqenëse i njëjti vjen nga Dibra.

LSDM në ndërkohë do të ketë listë kandidatësh me profile të ndryshme të njerëzve. Përveç anëtarëve të Kryesisë qendrore, në listat e LSDM-së vend do të ketë edhe nga organizatat joqeveritare që mbështetën dhe ishin në krye të protestave të ashtuquajtura “Revolucioni laraman”. Një është e sigurt – asnjë nga ata që njihen mbështetësit e Branko Cërvenkovskit nuk do të jetë pjesë e Parlamentit të ardhshëm (Jani Makraduli, Igor Ivanovski, Vllado Buçkovski, Natasha Savova…), ndërsa vend nuk do të ketë as për ish-kandidatin për president po nga kjo parti, Stevo Pendarovski. Të sigurt janë kryetari Zoran Zaev, nënkryetarja Radmilla Shekerinska, deputetët Petre Shilegov dhe Goranço Sugarevski. Edhe pse akoma nuk dihet, edhe dy anëtarët shqiptarë të LSDM-së, Muhamed Zeqiri dhe Edmond Ademi synojnë të jenë pjesë e kombinatorikave fituese në listat e LSDM-së. Ndryshe, afatet parashikojnë që listat për kandidatë për deputetë, partitë politike dhe kandidatët e pavarur t’i parashtrojnë në KSHZ më së voni deri më 11 nëntor në mesnatë. Fushata zgjedhore fillon më 21 nëntor, ndërsa përfundon më 9 dhjetor.