Tension në Kukës, RENEA e FNSH mësyjnë banesa dhe arrestojnë protestuesit

01.04.2018 09:49:07

Ditën e djeshme për më shumë se 4 orë “Rruga e Kombit” u kthye në ‘sheshbetejë’ midis efektivëve të FNSH-së dhe banorëve, protestues të Kukësit, Hasit e Tropojës, të cilët kundërshtojnë vendosjen e taksës për kalimin e automjeteve në këtë aks.

Si pasojë e konfrontimit fizik mbetën të lënduar qytetarë dhe policë. Gjithashtu u shkatërrua edhe impianti i ndërtuar për të kryer pikërisht pagesën e shumëkontestuar të kalimit, ndaj kryeministri Edi Rama në një konferencë urgjente në mbrëmje paralajmëroi arrestime dhe ndëshkim të atyre që ai i etiketoi si “vandalë”.

Opozita u kundërpërgjigj duke kërkuar tërheqjen e forcave të policisë nga Kukësi, që sipas Lulzim Bashës ndodhej mbrëmë në shtetrrethim, por duket se diçka e tillë nuk ka ndodhur dhe gjatë orëve të natës ka patur arrestime të protestuesve.

Banorët e Kukësit janë përballur me ndërhyrjen e Forcave RENEA dhe FNSH rreth orës 03:00 pas mesnate. Ato kanë arrestuar disa persona si përgjegjës për shkatërrimin e të ashtuquajturës pronë publike nga kryeministri Rama.

Ende nuk ka një shifër zyrtare të arrestimeve, por mësohet nga banorët se efektivët e policisë kanë mësyrë në banesa.

Ndërkohë familjarët e të arrestuarve janë mbledhur mëngjesin e sotëm para Komisariatit të Policisë së Kukësit, duke kërkuar sqarime për të afërmit e tyre.

Ata thonë se nuk e dinë se ku janë dërguar të afërmit e tyre pas arrestimit. “Policia na erdhi nëpër banesa në orën 03:00 të mëngjesit. Nuk e dimë ku i kanë çuar personat e arrestuar”, u shprehën familjarët e të arrestuarve.