Tentimvrasja e Azem Vllasit një akt i izoluar, apo fillim i një serie atentatesh?

13.03.2017 16:21:50

Nga Rexhep Kastrati

Në një shkrim të paraditës, shtrova çështjen se kush donte ta vriste Azem Vllasin, dhe se a ishte thjesht një atentat i një klienti të cilin nuk kishte pranuar ta përfaqësonte z. Vllasi, apo ishte një akt kriminal me motive politike. Tashmë kur është arrestuar atentatori, i cili doli të mos ishte ndonjë qytetar anonim, por hiç më pak se vëllai i Ismet Jasharit – komandant “Kumanovës”, Murat Jashari, dhe kur vetë Azem Vllasi ka deklaruar se është plagosur nga një atentator i porositur, situata jo që është qartësuar, por është bërë edhe më e ndërlikuar.

Është kështu për faktin se Murat Jashari, si vëlla i Ismet Jasharit – komadant “Kumanovës”, i vrarë gjatë luftës në Kosovë, është bërë i njohur për qindra apo mijëra pyetje që ua ka shtruar hashim Thaçit, Xhavit Halitit dhe të tjerëve. Në këtë kuptim, nëse vërtet është porositur për të kryer atentatin ndaj Azem Vllasit, kush mund ta ketë porositur? Ta ketë porositur Hashim Thaçi apo Xhavit Haliti, apo dikush nga sekta okulte e Albinit? Kjo për faktin se Murat Jashari është parë në foto me babain e Astrit Deharit, si dhe për faktin se një i ashtuquajtur gazetar i punësuar në sektën okulte, ishte shprehur me një atavizëm dhe me një urrejtje patologjike ndaj Azem Vllasit.

Së këndejmi, a është edhe vetë ky atentat i porositur, sipas z. Vllasi, një mënyrë që me një gur të vriten dy zogj: pra që edhe të vritej Azem Vllasi, edhe të inkriminohej Murat Jashari?

Kjo pyetje shtrohet për faktin se Azem Vllasi si një ish-politikan me përvojë dhe si një avokat i njohur, mund të dijë gjithë lidhjet e Hashim Thaçit, Xhavit Halitit dhe të tjerëve si këta me Serbinë, dhe së këndejmi mund të paraqesë rrezik për planet serbo-ruse për destabilizimin e Kosovës dhe për nxitjen e kundërthënieve dhe mospajtimeve me aleatët strategjikë euro-perëndimorë. Në këtë kontekst, duhet të dihet mirë se kush mund ta ketë porositur, kush mund ta ketë bindur Murat Jasharin që të kryente atentatin ndaj Azem Vllasit?

Përgjigjia në këtë pyetje gjithsesi do të çonte në taborrin e sektës okulte të Albinit, qoftë për foton e përbashkët me babain e Astrit Deharit, qoftë edhe për atavizmin patologjik të një të ashtuquajturi gazetar i punësuar në këtë sektë. Pra, a ka qenë sekta okulte e Albinit që mund ta ketë nxitur Murat Jasharin që të kryente atentatin ndaj Azem Vllasit, të motivuar me të njëjtën mendësi si të atij farë gazetari?

Dhe në këtë kontekst, duhet të shtrohet edhe një herë çështja e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të veprimeve të tilla ndërmjet të gjithëve: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Albin Kurtit, Xhavit Halitit dhe të tjerëve si këta, bashkërendim që mund të ketë funksionuar edhe në rastin e Arbnor Deharit, apo edhe të Astrit Deharit?

Në një rast të tillë, tentimvrasja ndaj Azem Vllasit, a është një fillim i një serie atentatesh që ka për qëllim që të eliminojë të gjithë njerëzit që dijnë për lidhjet e tyre me shërbimet sekrete të Serbis dhe të shteteve të tjera aleate të saj, dhe të njerëzve që mund të dijnë edhe për krimet e tyre në kohë të luftës, apo vetëm një rast i izoluar?

Gjithsesi, atentati i ndodhur në kohën kur ka një debat agresiv dhe me synim të përmbysë institucionet e shtetit, dhe afrimit të kohës së fillimit të punës së Gjykatës speciale, atentati ndaj Azem Vllasit duhet të merret si një paralajmërim se të tjerë atentate mund të ndodhin, madje edhe ndaj personaliteteve të ndryshme publike, politike e institucionale.