Tërhiqte zvarrë qenin me makinë, arrestohet (Video)

04.08.2016 22:53:55

Policia e Durrësit shoqëroi dje në komisariat shtetasin Kujtim Bajrami, i cili u filmua duke tërhequr zvarrë me pjesën e pasme të mjetit, një qen. 42-vjeçari, banues në Xhafzotaj të Shijakut, ishte filmuar duke tërhequr qenin me mjetin e tij “Ford”, me targa DR 7980 D.

Videoja e tmerrshme u publikua nga portali “Jetaoshqef.al” dhe pati reagime të shumta dhe revoltuese në rrjetet sociale. Menjëherë pas publikimit të videos, e cila ishte xhiruar në qytetin e Durrësit, reaguan edhe uniformat blu, të cilat shoqëruan drejtuesin e mjetit.

Nuk dihen arsyet që e çuan atë të ndërmerrte këtë veprim aspak njerëzor, megjithatë kjo pritet të zbardhet. Policia falënderoi mediat dhe qytetarët për denoncimin e rasteve të tilla flagrante dhe garantoi se do të reagojë pa hezitim për vënien para ligjit të çdo shkelësi.