Tërmeti i shembi shtëpinë, por gjobitet 5 milionë lekë pse e ndërtoi pa leje (detajet+dokumenti)

26.12.2019 18:00:19

Shteti shqiptar ka gjobitur me 5 milionë lekë të vjetra një kryefamiljar pasi ndërhyri për të riparuar banesën e tij të dëmtuar nga tërmeti në fshatin Shetaj të Durrësit.

Kryefamiljari Ismet Shetaj,  i cili kalon ditët dhe netët në çadër dhe në të ftohtë bashkë me 11 anëtarët e tjerë të familjes së tij, mes tyre edhe 4 nipërit e mitur.

Ismeti rrëfen se banesa e ndërtuar që në vitin 1985 iu dëmtua që prej tërmetit të 21 shtatorit, e përmes një dokumenti kreu i njësisë administrative deklaronte se banesa duhej riparuar. Tullat e lidhura me baltë dhe banesa pa kolona rrezikonte jetën e familjes Shetaj…

Në kushtet kur askush nuk mori përsipër riparimin e banesës, Ismeti nisi të ndërhyjë përmes ndërtimit të kolonave, për  të bërë shtëpi më të sigurtë për familjen e tij. Por kjo i solli problemin e rradhës, gjobën 5 milionë lekëshe dhe një urdhër gjykate se shtëpia duhet të shembet. Por gjoba ka ardhur në emrin e djalit të tij Florjanit.

Tërmeti i 26 nëntorit e bëri edhe më të keqe situatën për 12 anetarët e familjes Shetaj. Ata deklarojnë se janë të harruar nga shteti, e se jetojnë me shumë vështirësi në çadër, në këto ditë të ftohta dimri.

Ismeti pretendon se e gjitha është një hakmarrje personale e inspektorit të zonës së INUK, Ardian Halili. Ndërsa shprehet i vendosur në ndërtimin e shtëpisë edhe nëse i duhet të përfundojë në burg…!

Ismet Shetaj apelon për ndihmë pasi kushtet financiare të kësaj familjeje janë tepër të këqija, çka ja vështirëson përfundimin e shpejtë të banesës.