Melihate Tërmkolli, për seancën e shpalljes së pavarësisë: Qëndrova ulur, e injorova...

Melihate Tërmkolli, për seancën e shpalljes së pavarësisë: Qëndrova ulur, e injorova himnin dhe flamurin e Kosovës

17.02.2017 19:54:33

Deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, gjatë seancës së Kuvendit kur u shpall pavarësia e Kosovës, ishte deputetja e vetme që nuk u ngrit në këmbë gjatë intonimit të himnit të ri të Republikës.

Ajo injoroi himnin, si dhe flamurin (me hartë dhe yje), në shenjë revolte ndaj institucioneve të cilat thotë se anashkaluan dhe përbuzën propozimin e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova (flamuri i “Dardanisë” dhe himni “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”).

“Atë ditë nuk jam çu në këmbë. Kam pasë propozime tjera”, ka thënë ajo, teksa shton se një pjesë të fajit për mosrealizimin e “amanetit të Rugovës” ia len edhe bashkëpartiakëve të saj.

“Këta komandantët (OVL-UÇK) që e kanë djeg (flamurin e “Dardanisë”), e edhe një pjesë e LDK-së s’kanë dashur ta shtyjnë këtë projekt. Premtimet për ta kthyer flamurin e Dardanisë nuk janë përmendur asnjëherë. Besoj se një ditë ajo do të bëhet”, ka thënë Tërmkolli.