Tërmkolli: Shumë deputetë ia kanë përgatitur njëri tjetrit dosjet për Specialen, duke hedhë akuza në Kuvend

13.01.2019 23:39:12

Ish-deputetja Melihate Tërmkolli, e cila është anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ka folur për shkuarjen në Hagë të ish-komandanteve të UÇK-së, Sami Lushtaku dhe Rrustem Mustafa.

Përmes një shkrimi në Facebok, Termkolli, ka thënë se askush nuk po e gjykon UÇK-në, prandaj ka bërë thirrje që secili të mbrojë vetën.

“Pa patetikë, Kosova e para! Askush nuk e ka gjykuar luftën e shqiptarëve të Kosovës për liri e çlirim. Askush nuk e ka gjykuar as nuk po e gjykon UҪK-në. Askush, prandaj nuk ka nevojë ta mbrojë UҪK-në, secili le ta mbrojë veç veten e vet! (nga vetja e vet)”, ka shkruar Tërmkolli.

Më tej, ish deputetja, duke apostrofuar PDK-në, e cila ka thënë se Gjykata Speciale është një “re e zezë” për Kosovën ka kërkuar që këta të fundit të heshtin dhe të mos e drejtojnë gishtin ndaj askujt për Specialen.

“Të tjerët përreth, që po përpiqen të bëjnë patriotët, me rrëfimet herë për “re të zeza”, herë për “pastërti” të qiellit të Kosovës, së paku të heshtin. E dinë mirë të gjithë kush i solli retë e zeza. Mos guxoni prandaj të drejtoni gishtin ndaj askujt për Gjykatën Speciale! Siç e thoshit edhe vetë “ një e keqe e domosdoshme””, ka shkruar Tërmkolli.

Gjithashtu, ajo ka përmendur gjithashtu debatin e ashpër në Kuvendin e Kosovës, vite më parë të cilin sipas saj e kanë bërë “komandantët e UÇK-së”, duke akuzuar njëri tjetrin.

“Pa kopjuar kultura të huaja, do të na bënte nderë respektimi i së paku një minimumi nga kodi kulturor kombëtar i shqiptarëve, edhe në ditë të mira edhe në ditë të vështira. Në atë rast, të gjithë do të dilnim fitues. Në veçanti përfaqësuesit e institucioneve të shtetit, kanë detyrë të sillen në pajtim me obligimet shtetërore dhe interesat nacionale, edhe në këtë rast. Pa patetikë, Kosova e para!”

“(Për tri vite me radhë 2015-2018, në Kuvendin e Kosovës, shumë deputetë të ashtuquajtur “komandantë” të UҪK-së, e tmerruan opinionin e Kosovës me akuzat më të rënda kundër njëri tjetrit, për krime, për pasurim e për çka jo. Atëherë, në Kuvend iu thashë se “po ia përgatitni njëri tjetrit dosjet për Gjykatën Speciale”.) Apo nuk është kështu?!”, shkruan Tërmkolli