Tetë vendvotime shkojnë në rinumërim

27.10.2017 16:29:19

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (K QZ), ka marrë vendim që të rinumërohen dhe tetë vendvotimeve për kryetar të komunave dhe 14 vendvotime të procesohen si të rregullta.

Burim Ahmetaj nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), i cili raportoi në mbledhjen e KQZ-së për punën që po bëhet në këtë qendër, tha se të gjitha proceset janë duke u zhvilluar në prani të vëzhguesve.

“Rekomandimin tonë që tetë vendvotime të rinumërohen dhe vendvotimet tjera të procesohen si të rregullta. Vëzhguesit e pranishëm në QNR, në orën 13 kanë qenë gjithsej 19 vëzhgues, kështu që të gjithë proceset janë duke u zhvilluar në prani të vëzhguesve”, tha ai.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se tetë vendvotim do të rinumërohen, ndërsa 14 do të procesohen si të rregullta.

“Atëherë kush është për që këto tetë vendvotime që të rinumërohet. Kush është që të procesohen si të rregullta 14. Burim, në ndërkohë na njofton për votat e postës”, tha Daka.

Ilir Gashi anëtar i KQZ-së, tha se po përballen me ankesa të shumta të kandidatëve për këshilltarë komunalë, të cilët kërkojnë të dinë për vendvotimet, ku ata janë votuar.

“Ne e dimë që janë duke u përballë dhe me ankesa të shumta të kandidatëve për këshilltar komunal dhe njëra nga vërejtjet që është dhënë, pse makina kërkuese nuk funksionon në ueb faqen, se ata dëshirojnë ta dinë për vendvotimet ku kanë votuar njerëzit. Ankesat kur donë me i përpiluar. Atëherë, njerëzit që mund të dëshmojnë se çfarë ka ndodhur në një vendvotim, ata e kanë problem për të gjetur ku kanë votuar. Është mirë të ndërhyhet që ajo të bëhet funksionale, në mënyrë që me iu hy në punë gjithë atyre që janë për të bërë ankesa”, tha ai.