Thaçi: Deklaratat kërcënuese të politikanëve rrezikojnë të ardhmen

10.04.2017 18:11:06
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit të AAK-së, Daut Haradinaj i cili kishte deklaruar se nëse lider i Aleancës ekstradohet në Serbi, atëherë do të kishte luftë.

Thaçi ka thënë se këto deklarata kundër etnive minoritare në Kosovë janë të papranueshme, duke shtuar se e rrezikojnë të ardhmen e të gjithëve, transmeton lajmi.net

“Dekalratat kërcënuese të politikanëve kundër etnive minoritare në Kosovë janë të papranueshme. Ato rrezikojnë të ardhmen për të gjithë njerëzit”, ka shkruar Thaçi në twitter.

Ndaj deklaratave të Haradinajt kanë reagur edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie dhe zyra e BE-së në Kosovë.

Thaçi ka reaguar edhe në një status në facebook, ku ka thënë se deklaratat e tilla bllokojnë dialogun për normalizmin e marrëdhënieve.

Lexo postimin e plotë:

Për institucionet dhe popullin e Kosovës, deklaratat kërcënuese ndaj etnive të tjera joshqiptare, nxisin mllef, urrejtje dhe hakmarrje, duke na kthyer në të kaluarën e hidhur.

Për më tepër, bllokojnë dialogun për normalizim të marrëdhënieve, vëjnë në pikëpyetje pajtimin e domosdoshëm dhe perspektiven e Kosovës evropiane dhe shumetnike.

Nuk kemi lejuar një gjë të tillë as gjatë luftës dhe nuk do të lejojmë që të ndodhë as tani, sepse askush nuk e dëshiron.