Thaçi dekoron Dritan Hoxhën, themeluesin e ndjerë të Top Channel

04.10.2016 15:49:36

Themeluesi i Top Channel dhe Digitalb, Dritan Hoxha dekorohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës gjatë vizitës së parë zyrtare të tij në Tiranë.

Hashim Thaçi tha se ndihej i privilegjuar që kishte njohur Tanin si mik, si njeri dhe si inovator që para ushtrive dhe të gjithëve, falë gjenialitetit të tij, kishte thyer i pari kufijtë mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“E nderuara Vjollca, për mua është një kënaqësi e veçantë si President i Republikës së Kosovës dhe si mik i Tanit që sot në emër të Kosovës dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës të ndaj medaljen e Presidenit të Republikës së Kosovës për kontributin e jashtëzakonshëm të Dritanit për revulucionarizimin e medias shqiptare”. tha Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Pas një rruge që mban emrin e tij në Prishtinë, kontributi i paçmuar i Dritan Hoxhës në thyerjen e kufijve mes shqiptarëve u vlerësua nga Presidenti i Kosovës me çmimin për Inovacion, Kërkime dhe Zhvillim. Dekorata u akordohet personave me rezultate të jashtëzakonshme në fusha të dijes, zhvillimit dhe teknologjisë.

Në emër të qytetarëve të Kosovës, Presidenti Thaçi ja dorëzoi dekoratën Presidentes së kompanisë dhe bashkëshortes znj. Vjollca Hoxha, gjatë vizitës së tij në Top Media.

Hashim Thaçi, President i Kosovës: Arriti gjëra që as ushtritë e as politika nuk mundën të arrijnë. Bëri që të hapë kufijtë, të thyejë kufijtë dhe zëri i tij të depërtojë kudo, ideja e tij të depërtojë në çdo hapësirë  shqiptare, në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo lagje, familje. Prandaj Kosova e vlerëson lart punën e Dritanit, e respekton angazhimin e tij maksimal. Ne ndihemi mirë dhe shumë krenarë që e kemi njohur, edhe unë personalisht dhe natyrisht që ndihem shumë i privilegjuar që si President i Republikës së Kosovës sot kam kënaqësinë që të ndaj këtë mirënjohje në emër të Presidentit të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Vjollca Hoxha, Presidente e Top Medias: Faleminderit!

Çmimi që i akordohet nga Republika e Kosovës, është vlerësimi për dashurinë që Tani kishte për Kosovën, një pasion që u pasqyrua në valët e  Top Channel në kohët kur Kosovës i duhej më shumë se kurrë mbështetja nga Shqipëria, në  vitet e vështira kur Kosova po bëhej e pavarur dhe më pas në  proceset më të rëndësishme të shtetndërtimit.

Me Top Channel, muri mes shqiptarëve në Ballkan u rrëzua për herë të parë duke lidhur me lajme, filma dhe emisione shqip, çdo familje shqiptare që kishte jetuar në ish-Jugosllavi dhe diasporë.