Thaçi harron premtimin për padi kundër Serbisë

19.09.2016 21:08:19

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, është zotuar disa herë se Kosova do të padisë shtetin serb për gjenocid gjatë luftës se fundit në Kosovë. Ketë premtim ai e kishte proklamuar edhe në intervistat e tij për mediet ndërkombëtare.

Mirëpo, ky zotim i Thaçit po shihet si vështire i realizueshëm nga ana e juristëve dhe partive opozitare. Indeksonline ka provuar gjatë gjithë ditës të marrë një qëndrim nga zyra e presidentit Thaçi për këtë çështje, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.

E, në anën tjetër, juristi dhe avokati, Azem Vllasi, vlerëson se ka bazë dhe mundësi procedurale juridike për të paditur shtetin serb. Megjithatë, ai thotë se shkalla e organizimit në Kosovë dhe mënyra e punës  nuk i ka kapacitetet e duhura për të realizuar një ide të tillë.

“Unë dyshoj qe shteti i Kosovës është në gjendje të përgatis padinë si duhet, ta argumentojë dhe t’i sistemojë provat dhe ta paraqesë në Gjykatë. Unë besoj se kjo është vetëm çështje e marketingut politikë, sepse nuk është duke punuar askush në këtë drejtim”, ka thënë Vllasi për Indeksonline.

Kjo padi, sipas Vllasit, duhet të dorëzohet në  Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë me seli në Hagë.

Avokati druan që një padi për gjenocid kundër një shteti tjetër mund të ketë sukses.

“As Gjermania nuk është gjykuar për gjenocidin qe ka bërë, por janë gjykuar kriminelët kryesor. Gjykata e Hagës për krime të luftës i ka shpallë fajtorë disa individë për gjenocid si Radovan Karagjigj dhe disa gjeneral të serbeve të Bosnjës”, ka shtuar Vllasi.

Sa i përket përfitimeve të shtetit të Kosovës nga ky proces, avokati thotë se përfitimet do të ishin në rrafshin politikë dhe historik ku do të mbledhshin provat në një vend dhe do të dokumentohej qartë se në raportet më Serbinë, Kosova ka qenë viktima ndërsa Serbia ka qenë agresori.