THAÇI IA NUMËRON VUÇIQIT MASAKRAT E KRYERA NGA SERBIA NË KOSOVË

18.12.2018 00:32:59

Thaçi, ia ka bërë me dije Serbisë se nuk do të ketë rishkrim të historisë dhe se Beogradi zyrtar duhet të pranojë realitetin.

Ai gjatë fjalimit të tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka dalë me shifra të masakrave serbe gjatë luftës në Kosovë, duke thënë se asnjë nga kryesit e këtyre vrasjeve, serb, nuk janë dënuar dhe akuzuar.

“I pëlqen dikujt apo jo, shteti i Serbisë në konfliktin e Kosovës ka vrarë 13.500 civilë shqiptarë. Aparati shtetëror i tyre kanë dhunuar rreth 20 mijë femra shqiptare. Për 13.500 civilë shqiptarë të vrarë asnjë i akuzuar dhe as i dënuar. Një milion shqiptarë të dëbuar me dhunë nga shteti i Serbisë. 40 për qind e infrastrukturës në Kosovë u dëmtua. 400 maskara kundër shqiptarëve, asnjë i akuzuar apo i dënuar. Vetëm në Izbicë 160 të vrarë, pleq, gra, fëmijë. Në Krushë 250 civilë të vrarë. Askush i akuzuar dhe i dënuar. Në Mejë 860 njerëz të vrarë, asnjë i akuzuar dhe i akuzuar. Në Studime 116 të vrarë. Vazhdojmë me Reçak, Rezallë e Obri e masakra të tjera. Në Serbi asnjë serb nuk është dënuar për masakrat në Kosovë”, ka thënë presidenti Thaçi.  

“Edhe pse ishim viktimë, e theksoj se disa prej luftëtarëve të Kosovës, kanë kaluar nëpër procedurat e drejtësisë, të NUMK-ut, Hagës, EULEX-it. Kosova duke dashur të besoj në drejtësi dhe në të vërtetën, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, e ka themeluar vet Dhomat e Specializuara”, tha Thaçi.

“Sot në Kosovë më shumë shqiptarë ka të dënuar për krime lufte se sa serb, ndërsa në Serbi asnjë nuk është dënuar për spastrimin etnik dhe masakrat e kryera në Kosovë”, tha presidenti Thaçi në fjalën përmbyllëse në Këshillin e Sigurisë.