Thaçi: Kosova dhe Shqipëria bashkëpunimi shembullor në shkëmbime tregtare

02.10.2016 19:18:03
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se prej ndërtimit të autostradës shkëmbimet tregtare Kosovë-Shqipëri janë rritur.
Ai ka thënë përmes një postimi në Facebook se dy shtetet kanë marrëdhënie të shkëlqyera, duke përmendur edhe mbledhjet e të dy qeverive.

Postimi i plotë i Thaçit:

Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë tashmë kanë fituar dimension të një partneriteti strategjik të vënë në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive e që i hap rrugën institucionalizimit të marrëdhënieve dypalëshe në çdo fushë.

Që kur kemi përmirësuar komunikimin duke ndërtuar autostrada në të dy anët e kufirit, kemi shtuar edhe shkëmbimin tregtar. Vetëm në vitin 2015, shkëmbimi tregtar është rritur për 40 për qind në krahasim me një vit më parë.

Shqipëria mbetet destinacioni kryesor i kosovarëve për turizëm, sikur që qytetarët e Shqipërisë janë vizitorët më të numërt të Kosovës. Mbetemi të përkushtuar që përmes pakove të turizmit t’i ofrojmë Shqipërinë dhe Kosovën si një zone të përbashkët turistike.

Në rajon, Shqipëria është zëri shtesë i Kosovës, ndërsa Kosova zëri përkrahës i politikës konstruktive të Shqipërisë në rajon.

Të gjitha këto janë themelet e një bashkëpunimi shembullor mes Kosovës dhe Shqipërisë për të cilin nesër do të bisedoj me krerët e shtetit shqiptar.