Thaçi mirëpret platformat për konsensus politik në çështjet madhore për shtetin

25.04.2018 10:39:02

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha sot se mirëpret platformat që prezantohen nga liderët politik në mënyrë që të arrihet konsensus në çështjet me interes shtetërore.

Thaçi këto komente i bëri në konferencën “Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i Reformimit, Bashkëpunimi Rajonal dhe Integrimi në BE”, e organizuar nga Grupi për Ballkan, në bashkëpunim me Demokracinë  për Zhvillim dhe Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë.

“Mirëpres platformat që prezantohen nga liderët politik dhe agjendat planifikuese në të ardhmen. Përpjekjet për të arritur një konsensus maksimal në dialog Kosovë – Serbi….Një marrëveshje obligative është e nevojshme për dy vendet tona, sepse nuk duhet të bëhemi pengesë për të ardhmen tonë”, theksoi presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi tha se politika kosovare ka një pjekuri politike, mirëpo e përcjellë me thashetheme dhe spekulime si në tërë rajonin.

“Kjo nismë dhe të tjera janë shumë të rëndësishme për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës. Për bindjen time në politikën  kosovare ka një pjekuri politike dhe në të njëjtën kohë si në tërë rajonin kjo politik përcillet me thashetheme, spekulime dhe më pak ka  mendime, debate të mirëfillta se ku jemi si politik, si institucione, si shoqëri civile dhe media kosovare”, ka thënë Thaçi.

Ai po ashtu tha se institucionet e vendit  kanë jetuar në një brishtësi, duke përmendur hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

“Kam besim se ditët dhe javët e ardhshme do të jenë vendimtare për vendin në shumë aspekte si dhe në konsolidimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës. S’duhet të fokusohemi në politika ditore apo javore por në politik konsensuale… Kosova është storie e  suksesit të plotë dhe në të njëjtën kohë  jemi dëshmitarë që institucionet e  vendit kanë jetuar në një brishtësi si rezultat i kësaj kemi edhe Kuvendi. Është dërguar një mesazh dhe pamje jo të realitet kosovar në botë”, tha ndër të tjera Thaçi.

Gjatë fjalimit të tij, presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha se Kosova e ka mbajtur fjalën për marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe të njëjtën gjë pret nga pala serbe.

“ E kemi kaluar çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Kemi filluar punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.  E kemi mbajtur fjalën për marrëveshjet e nënshkruara, tani mbetet që Serbia të përmbyll çështjen e urës dhe energjinë”, u shpreh tutje Thaçi.