Thaçi në Mejë: Asnjëherë nuk do të ketë amnisti për krimet dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë

27.04.2020 16:19:42

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka qëndruar sot në fshatin Mejë të Gjakovës, për t’i përkujtuar viktimat e Masakrës së Mejës. Gjatë qëndrimit atje, Thaçi theksoi se nuk do të ketë asnjëherë dhe nga askush asnjë lloj amnistie ndaj krimeve dhe gjenocidit që Serbia ka kryer në Kosovë.

Presidenti Thaçi deklaroi para mediave se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe ka vrarë mbi 10.000 shqiptarë civilë.

“Ende nuk dihet për fatin e të pagjeturve shqiptarë. Ka kryer mbi 400 masakra mbi popullatën civile, ka vrarë mbi 1300 fëmijë. Ushtria dhe policia serbe ka dhunuar mbi 20 mijë gra shqiptare. Po ajo ushtri dhe polici, dhe shteti i Serbisë që ka kryer gjenocid në Kosovë ka dëbuar dhunshëm edhe rreth 1 milion shqiptarë civilë nga Kosova”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit tha se mos-dënimi i gjenocidit serb të kryer në Kosovë, nënkupton edhe një lloj amnistie që bashkësia ndërkombëtare po u bën kriminelëve që kryen këto krime dhe vetë shtetit të Serbisë si aparat urdhërdhënës e dirigjues.

Thaçi theksoi se nuk do të ketë në asnjë rrethanë dhe nga askush amnisti përballë krimeve dhe gjenocidit që Serbia ka kryer në Kosovë.

“Kjo heshtje ndërkombëtare nënkuptohet si një lloj amnistimi ndaj gjenocidit të Serbisë të kryer në Kosovë. Por, nuk do të ketë në asnjë rrethanë, në asnjë kohë, nga askush amnisti përballë krimeve dhe gjenocidit të Serbisë të kryer në Kosovë. Nuk ka paqe pa drejtësi, dhe do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi bashkërisht me ndërkombëtarët që ky gjenocid dhe këto krime të ndëshkohen prej autoriteteve përkatëse të drejtësisë edhe lokale, edhe ndërkombëtare”, ka deklaruar presidenti Thaçi nga Meja.