Thaçi në takim me Ali Ahmetin: Të ecim përpara si rajon, ta forcojmë paqen dhe stabilitetin në Ballkan

29.05.2018 12:28:10

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim të Maqedonisë, Ali Ahmetin.

Ata në këtë takim diskutuan për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës e Maqedonisë si dhe rëndësinë e integrimit euroatlantik të dy vendeve.

“Është shumë e rëndësishme që të ecim përpara si rajon, sepse vetëm kështu e forcojmë paqen dhe stabilitetin në tërë Ballkanin Perëndimor”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se Kosova i përkrah përpjekjet për zgjidhjen e kontestit rreth emrit të Maqedonisë.

“Zgjidhja e kontestit të emrit e rrjedhimisht edhe hyrja e Maqedonisë në NATO është në interes të paqes në tërë rajonin tonë”, pohoi presidenti Thaçi.

Ndërsa, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, theksoi se bashkëpunimi i afërt i lidershipit shqiptar ka bërë që të përmirësohet edhe pozicioni i shqiptarëve në Maqedoni.

Presidenti Thaçi dhe kryetari Ahmeti kanë folur edhe për rëndësinë e autoudhës Prishtinë-Shkup, e cila do t’i afrojë edhe më shumë qytetarët tanë me njëri-tjetrin.