Thaçi: Nuk ndërtohet e ardhmja duke mbetur peng i së kaluarës

03.04.2017 17:36:49

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj incidentit të sotëm në një fshat të Istogut, ku u sulmua prona e disa familjeve të kthyera serbe.

“Kthimi i familjeve të zhvendosura prej pronave të tyre është një proces i drejtë dhe çdo incident ndëretnik, sado i vogël të jetë, e dëmton paqen, stabilitetin dhe procesin e pajtimit në shoqërinë tonë shumetnike”, ka thënë Thaçi përmes një postimi në Facebook, transmeton Telegrafi.

Ai ka thënë se “Incidentet si ky i sotmi në fshatin Dragolec të Istogut, ku është sulmuar lokacioni i përgatitur për shtëpitë e të kthyerve, janë të dëmshme për shtetin dhe shoqërinë e Kosovës”.

“Është për mirëseardhje kthimi vullnetar dhe spontan i 13 familjeve në fshatin Lubozhdë dhe procesi duhet të përkrahet nga të gjithë, jo të pengohet”.

Çdo qytetar i Republikës së Kosovës, pa dallim përkatësie etnike, ka të drejtë të kthehet dhe të jetojë në pronën e tij. I ftoj institucionet e vendit që të bëjnë më shumë për lehtësimin e kthimit të të zhvendosurve, si dhe për sigurinë dhe integrimin e tyre në shoqëri.  Nuk mund të ndërtojmë të ardhme më të mirë nëse mbesim peng të së kaluarës”, ka shkruar Thaçi.