Thaçi për debatet e fundit për raportet Kosovë-Shqipëri: Opinione të parëndësishme, debat i kotë, problematikë e paqenë!

19.10.2016 23:19:28

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se raportet mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, kurrë nuk kanë qenë më mirë.

“Raportet mes shqiptarëve janë eksellente”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se tendenca për të ngritur një debat për përkeqësim të marrëdhënieve mes shqiptarëve është armiqësore.

Ai tha se me kryeministrin Edi Rama nuk ka biseduar sot “për këto opinione aq të parëndësishme, pasi ky është një debat aq i kotë, aq jodomethënës, artificial dhe një problematikë e paqenë”

Thaçi megjithatë i është kundërpërgjigjur kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili lavdëroi Serbinë për sjellje evropiane.

“Serbia nuk është më evropiane, derisa cenon integritetin territorial të Kosovës; derisa instalon struktura paralele në veri; derisa cenon sovranitetin e Kosovës, derisa nuk kthen të pagjeturit, që i ka ende në varrezat masive…”, ka thënë Thaçi në emisionin “Opinion” në TV Klan.

Ai u pyet edhe për projektin e nënshkruar ndërmjet kryeministrave Rama e Vuçiq për ndërtimin e autostradës Nish-Durrës, duke anashkaluar Kosovën.

“Nuk e kam lexuar ndonjë projekt të tillë për autostradën Nish-Durrës”, tha Thaçi.

Sipas tij, në takimin e parë në Bruksel kur ai ishte kryeministër – e ku ishte edhe Ivica Daçiq si kryeministër serbe – – me vullnetin e dyanshëm është nënshkruar projekti i autostradës Prishtinë-Durrës.

“Shqipëria duhet ta përfundojë autostradën nga Miloti në Durrës, më mirë sesa të mendojë për vendet e tjera”, ka thënë ai, duke shtuar se mohimi i kontributit të Shqipërisë për pavarësinë e Kosovës, është injorancë komplete.