Thaçi propozon muze e obelisk, “harron” kullën e Jasharajve që rrezikon të shembet

05.02.2018 23:51:31

Kanë kaluar disa vite prej kur ka shteti ka investuar për herë të fundit në Kullën e Jasharajve, monumentin më të rëndësishëm historik të Luftës së Kosovës në vitet 1998-99.

Disa qeveri kanë kaluar por nuk i kanë kthyer sytë nga kulla e familjes së ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari, e cila rrezikohet nga shembja.

Ish-kryeministri, tashmë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se “nuk mjafton” që kosovarët t’i kenë vetëm në mendjet e tyre vuajtjet për liri dhe pavarësi. Thaçi shprehet se lufta duhet të mbetet në mendje duke ndërmarrë edhe veprime konkrete.

Për këtë, Thaçi mori vëmendjen në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të hënën, ku mori pjesë edhe ai për herë të parë.

Presidenti kosovar, i cili kishte shërbyer si udhëheqës politik i UÇK-së, propozoi ndërtimin e një muzeu dhe një obelisku, që do t’i kujtonin përpjekjet e kosovarëve për liri. Presidenti propozoi edhe emrin e muzeut.

“Kujtesës sonë kolektive historike, patjetër i duhet një objekt muze, të cilin unë propozoj ta quajmë Muzeu i Pavarësisë”, deklaroi presidenti Thaçi.

Ai e quajti nevojë edhe ndërtimin e një “Obelisku të Lirisë” në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën.

“Kryeqyteti i Kosovës, gjithashtu ka nevojë për ndërtimin e Obeliskut të Lirisë”, u shpreh Thaçi, teksa nuk foli për investimet e mundshme në Kullën e Jasharajve, pavarësisht se përgjegjësit e kësaj kulle kanë kërkuar publikisht ndihmë nga shteti për investime në Prekaz.

Një muaj më parë në mediet kosovare është raportuar për rrezikun që Kulla e Jasharajve të shembet.

Ciceroni i Kompleksit të Jasharajve kishte deklaruar muajin e kaluar se kulla e Komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, rrezikon shembjen.

“Kulla ka filluar të dëmtohet. Ju kisha lutur shtetit që me i kushtu më shumë rëndësi kësaj ngjarje. Kjo është histori e vërtetë”, kishte thënë Halimi.

Ai kishte bërë të ditur se projekti për Kullën e Jasharëve është gati, porse Qeveria duhet t’i ndajë mjetet financiare për rinovim.

“Po shpresojmë që në këtë vit, 2018-n, qeveria do të ndërmarr diçka”, ka deklaruar ai.

Dikur, por ndoshta edhe sot, ish-lideri politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, krenohet me të vetmen fotografi që mund ta gjesh në internet – Adem Jashari dhe Hashim Thaçi bashkë në një foto. Por Adem Jashari nuk e di se personi që ia kishte hedhë dorën mbi krah, tash e disa vjet nuk e viziton kullën e familjes së tij.

Vizitat te Jasharët shpeshtohen, sidomos në data historike, siç është Dita e Flamurit e Shqipërisë; Epopeja e UÇK-së; Pavarësia e Kosovës.

Thaçi nuk harron të bëjë nderime te varrezat e martirëve të kësaj familjeje. Por jo edhe te kulla ku ata u lindën dhe u rritën.

Ende nuk dihet publikisht pse kaq shumë u ftohen marrëdhëniet mes ish-liderit të UÇK-së dhe familjes së komandantit legjendar, Adem Jashari. Një gjë dihet publikisht se në kullën e tyre asnjëherë nuk u prit Hashim Thaçi.

Raportet e ftohta mes Thaçit dhe familjes Jashari u dëshmuan edhe me rastin e zgjedhjes së tij president.

Kishte qenë praktikë që familja e heroit Adem Jashari zakonisht të merrte pjesë në seancë, por në ditën kur ai po e priste ditën më të mirë – edhe pse me gaz lotsjellës në sallë e protesta jashtë Kuvendit – askush nga familja Jashari nuk kishte qenë aty.