Thaçi: Rasti i Haradinajt flet për ndërgjegjen e disa shteteve

02.03.2017 21:35:20

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se asnjë shpifje nuk mund të ngadhënjejë mbi Ramush Haradinajn.

Ai, në emisionin “Zona B” të Klan Kosovës, ka theksuar se ndalimi i Haradinajt flet për ndërgjegjen e disa vendeve të cilat, sipas tij, sillen me standarde të dyfishta.

“Shteti është përpjekur t’i kryejë detyrat e veta, përballë këtyre aktakuzave. Në takimin e fundit me shefin e Interpolit, kam diskutuar për këtë çështje dhe për mundësinë e heqjes së këtyre aktakuzave nga ky organ. Institucionet e Kosovës kanë bërë maksimumin. Kemi reaguar në atë masë duke e bërë të qartë se Serbia nuk ka juridiksion mbi Kosovën dhe se Haradinaj është shtetas i Kosovës dhe jo i Serbisë”, ka shtuar Thaçi.