Thaçi: Sapo përfundova takimin me Vuçiqin në Shtëpinë e Bardhë

Thaçi: Sapo përfundova takimin me Vuçiqin në Shtëpinë e Bardhë

02.03.2020 21:04:12

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka njoftuar se ka përfunduar  takimin me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë, me ftesë të emisarit special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ku i pranishëm ishte edhe Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien.

Thaçi ka pohuar se Kosova është e bekuar me mbështetjen e Amerikës dhe Presidentit Trump.

“Tani jam rrugës për në Kosovë. Pres që menjëherë, të mërkurën apo të enjten, të më mundësohet raportimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për t’i njoftuar deputetët dhe qytetarët e Kosovës për takimet në Uashington dhe më specifikisht për takimin e sotëm”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ai ka thënë se duke qëndruar të bashkuara institucionet, partitë politike dhe qytetarët, Kosova do të jetë edhe më e fortë.

“SHBA është shpresa dhe besimi ynë. Jemi mirënjohës përjetë”, vijon shkrimi i tij.