Thaçi së shpejti përfundon intervistimin në Hagë, do të flasë para medieve

16.07.2020 21:02:55

Presidenti i Kosovës, ish-Drejtori Politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi së shpejti pritet të përfundojë ditën e katërt të intervistimit në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pritet të flasë para medieve me të dalur nga intervistimi.

Në anën tjetër, burime të lajmi.net sot kanë bërë të ditur se sot do të jetë dita e fundit e intervistimit të presidentit Thaçi nga Dhomat e Specializuara.

Çdo ditë intervistimet e tij kanë zgjatur më shumë se 6 orë, ndërsa sot ai ka filluar intervistimin në ora 14:00 dhe pritet që së shpejti të përfundojë.

Thaçi nuk ka folur për media dy ditët e kaluara, përveç ditës së parë ku ai tha se ka dëgjuar avokatin e tij tek ka shkëmbyer teknikalitete me prokurorët.

Ai në ditën e parë para intervistimit ka thënë për media se atje po shkon të mbrojë atë në të cilën beson dhe për të cilën ka luftuar, Kosovën e lirë dhe të pavarur.

“Askush nuk do të mund të rishkruajë historinë e Kosovës”, kishte thënë Thaçi.