Thaçi takon ambasadorët e Kuintit

26.03.2018 18:21:05

Presidenti Hashim Thaçi ka pritur sot pasdite në një takim të përbashkët ambasadorët e Kuintit, me të cilët ka biseduar për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Duke folur për procesin e dialogut me Serbinë, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar të përmbushë të gjitha obligimet e saj, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kosova zotohet dhe do të jetë e përgjegjshme në funksionalizimin e Grupit Punues, që do të fillojë punën në draftimin e Statutit të Asociacionit”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Asociacioni do të jetë në përputhje me Kushtetutën, me ligjet e Kosovës dhe me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, shtoi ai.

Ambasadorët ndërkombëtarë theksuan se do të ofrojnë mbështetje të plotë institucionale dhe ekspertizë profesionale në realizimin e këtij obligimi që Kosova ka marrë në Bruksel.