Thaçi takon kryeministrin kroat, bisedojnë për zhvillimet në rajon

20.09.2017 20:52:44

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar sot një takim pune në Nju-Jork, me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Pllenkoviq.

Gjatë takimit, Thaçi tha se Kosova është falënderuese dhe mirënjohëse ndaj Kroacisë për ndihmën e jashtëzakonshme për shtet-ndërtimin e Kosovës, forcimin e demokracisë, sigurimin e një të ardhme të sigurt në rrugën euroatlantike, bën të ditur një njoftim nga Presidenca.

“Për ne, Kroacia, si anëtare e BE-së dhe NATO-s është ndër aktorët kryesorë rajonalë dhe është partnere strategjike e Kosovës në përpjekjet e përbashkëta për forcimin e stabilitetit dhe të paqes në rajon. Kosova është e përkushtuar ndaj objektivit kryesor të politikës së saj të jashtme, përkatësisht anëtarësimit të plotë në BE dhe në NATO”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit tha se Kosova ndan me Kroacinë pikëpamje të përbashkëta mbi zhvillimet në rajon, veçanërisht në orientimit euro-atlantik dhe në përballjen me sfidat e sigurisë.

Presidenti Thaçi e falënderoi Kryeministrin e Kroacisë për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit kroat për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, duke përfshirë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, përfundon njoftimi.