Thaçi thotë se Biden është inspirim dhe model për të, i bindur së mbështetja amerikane do të vazhdojë

12.01.2017 10:25:20

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë vizitës së tij në SHBA ka takuar zëvendëspresidentin në shkuarje  SHBA-së, Joe Biden.

Thaçi ka thënë se Biden mbetet për të inspirim dhe modeli më i përkryer. Ai është shprehur se përkushtimi i Amerikës dhe Biden për Kosovën mbetet i përhershëm.

“Në jetën time, në kohë dhe rrethana të ndryshme, kam takuar shumë liderë botërorë. Por, padyshim, zëvendëspresidenti i SHBA-së, Joe Biden, për mua mbetet inspirim dhe modeli më i përkryer”.

“Ajo çfarë e bën të veçantë zëvendëspresidentin Biden, ndër të tjera është urtësia, mençuria dhe sinqeriteti i tij. I tillë ishte dhe ka qenë në të gjitha takimet që kam pasur përgjatë gjithë këtyre viteve. I tillë ishte edhe në takimin e sotëm”.

“Përkushtimi i Amerikës dhe përkushtimi personal i zëvendëspresidentit Biden për paqen në Kosovë, në rajon dhe më gjerë mbetet i përhershëm, sepse është interes strategjik i SHBA-së”, ka shkruar Thaçi në facebook.

Ai është shprehur i bindur se mbështetja e Amerikës do të vazhdojë edhe gjatë admistratës së re.

“Prandaj, jam i sigurt se ky përkushtim do të vazhdojë edhe gjatë administratës së re. Ndërsa, zëvendëspresidenti Biden dhe gjithë familja e tij, tani dhe përgjithmonë, Kosovën duhet ta konsiderojnë si shtëpinë e tyre”.

“Ndjehem njeri me fat dhe krenar që vendi im mbështetet nga njerëz të tillë të jashtëzakonshëm si zëvendëspresidenti Biden. Le të mbetet e përjetshme dhe e bekuar kjo miqësi ndërmjet Kosovës dhe Amerikës”, ka shkruar Thaçi.