Thaçi tregon detaje nga aksioni në Kosovë, kush ishte rusi i kamufluar si diplomat që donte të pengonte policinë

28.05.2019 14:18:51
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, flet për përfundimin e operacionit në veri të Kosovës. Thaçi komenton deklaratën e Vuçiç dhe thotë se është një deklaratë populiste. Presidenti përsërit tezën për bashkim kombëtar Kosovë-Serbi.

Thaçi tha se mes të arrestuarve është edhe një rus, i cili ishte shtirur si diplomat për të penguar policinë.

“Është Aksion i ndërmarrë në një territor të gjerë ku ka të arrestuar edhe zyrtarë edhe qytetarë në komuna të ndryshme të Kosovës të nacionaliteteve të ndryshme  serbë boshnjakë, një rus i kamufluar në petkun e diplomatit për të penguar zyrtarët policorë në aksionin e tyre. Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie, posaçërisht serbët në veri që ta marrin këtë çështje si  ndërmarrje krejt normale për rend dhe ligj, nuk është I drejtuar kundër asnjë komuniteti”, ka thënë Thaçi.

Thaçi u pyet nga gazetarët për deklaratat e Vuçiç, që i bëri thirrje perëndimit të ndalte aksionin.

 “Është deklaratë populiste, që kryesisht ka parasysh opinionin e brendshëm në Serbi, Vuçiq e di shumë mirë se s’mund të lëvizë në drejtim të Kosovës,  diçka që është e paimagjinueshme dhe e pamundur e edhe ai është i bindur, por në çdo rast institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe FSK’në,  janë në gjendje gatishmërie”, ka thënë Thaçi.

Thaçi foli sërish për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë në një shtet të vetëm. Thaçi tha se sa më shumë BE të vonojë liberalizimin e vizave, aq më shumë qytetarët e dy vendeve duan bashkim kombëtar.

 “Kufiri i Kosovës është në pikat 1 dhe 31 edhe përgjatë kufirit me Serbinë, është I njohur ndërkombëtarisht Serbia ka mendu që Kosovës s’ka me ja mbërri kurrë ymri me qenë kurrë të lirë e të pavarur, por ja që jemi të pavarur dhe s’kemi serbi në Kosovë, dhe s’do të ja mbërrijë kurrë ymri Serbisë të kthehet në Kosovë. Sa më tepër që po vonohet BE për liberalizim të vizave, po rritet angazhimi dhe vullneti i përbashkët i institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, të respektohet vullneti i qytetarëve të të dyja vendeve që të ndodhë bashkimi kombëtar. Kosova e Shqipëria të jetojnë në një shtet të përbashkët nën ombrellën euroatlantike duke e përfshi edhe Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocvin në territorin e Kosovës. Askush s’duhet ti frikësohet bashkimit kombëtar”, ka thënë Thaçi.

Ditën e sotme, një operacion i policisë së Kosovës ka tensionuar marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës. 30 të arrestuar dhe 4 policë janë plagosur gjatë operacionit për kapjen e një grupi të strukturuar kriminal që vepronte dhe fshihet në veri të Kosovës.