Thaçi: Ushtria e Kosovës së shpejti pjesë e misioneve paqësore të NATO-s

21.06.2020 14:14:16

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se Ushtria e Kosovës së shpejti do të jetë pjesë e misioneve paqësore të NATO-s kudo nëpër botë.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka përmendur fazat nëpër të cilat ka kaluar Kosova, që nga çlirimi deri tek themelimi i Ushtrisë, përcjell lajmi.net.

Postimi i plotë:

Kosova e fitoi lirinë para 21 viteve. Në ditët e para të lirisë filloi edhe transformimi politik dhe shoqëror i vendit tonë. Me marrëveshje me aleatët tanë dhe NATO-n filloi demilitarizimi dhe transformimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Pas jetësimit të aspiratave për pavarësi, në vitin 2009 e themeluam Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Në fund të vitit 2018 e themeluam edhe ushtrinë e Kosovës. Rrugëtimi i ushtrisë sonë ishte rrugëtim i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Nderime dhe respekt për të gjitha gratë dhe burrat që sakrifikuan gjithçka për këtë ditë.

Jemi krenarë me ushtrinë e Kosovës, e cila së shpejti do të jetë pjesë e misioneve paqësore të NATO-s kudo nëpër botë. HTH