Thashethëme nga Serbia: Putin nuk do ta lejojë kurrë formimin e Ushtrisë së Kosovës

19.03.2018 14:12:12

Serbët siç duket ju kanë gëzuar fitores së presidentit rus, Vladimir Putin, në zgjedhjet presidenciale në Rusi, fitore kjo që i garanton atij edhe gjashtë vjet të tjera në postin e tij.

“Rusët votuan për një shtet dhe president të fortë në zgjedhje” tha Nenad Popoviq, ministri serb i Inovacionit dhe Teknologjisë.

“Ky është një rezultat i papërsëritshëm, madje edhe njohësit e politikës ruse janë të befasuar me këtë rezultat.  Rusët votuan atje për sovranitetin, ata duan një shtet të fortë, ata nuk duan që dikush atyre tu mbajë mësime, sepse ata janë të interesuar për një ekonomi të fortë,” tha Popoviq.

“Sa i përket problemeve dhe ndryshimeve, Putin është i njohur për marjen e disa vendimeve të papritura” shtoi ai.

Popoviq shtoi se zgjedhja edhe për një mandat e presidentit rus është e rëndësishme edhe për çështjen e Kosovës, shtet në të cilin është rritur dëshira dhe entuziazmi për formimin e ushtrisë, proces të cilin sipas Popoviq nuk do ta lejojë Presidenti rus.

“Kjo është veçanërisht e rëndësishme tani në kohën kur është rritur dëshira dhe entuziazmi për formimin e Ushtrisë së Kosovës. Putin nuk do ta lejojë këtë, sepse ai e respekton rezolutën 1244. Përndryshe, natën e kaluar kam biseduar me disa miq të mi në Rusi për rezultatet e zgjedhjeve, të gjithë janë të befasuar me këto rezultate, dhe është Presidenti Vuçiq ai që i ka dërguar urimet e para” tha Popoviq.

Ndryshe, Vladimir Putin është rizgjedhur President i Rusisë edhe për një mandat gjashtë vjeçar, gjë që i siguron atij qëndrim në postin e Presidentit deri më 2024.