Thatësira në Bolivi, dorëhiqet ministrja e Ambientit

19.01.2017 22:37:40

Thatësira më e ashpër në 25 vite që ka përfshirë Bolivinë, ka detyruar ministren e Ambientit të vendit që të japë dorëheqjen.

Sigurisht që Alexandra Moreira nuk e la postin e mërzitur me nënën natyrë, por për një qëllim shumë më praktik, t’i bëjë bisht përgjegjësisë për menaxhimin e dobët të krizës.

Të paktën kështu thonë opozitarët dhe kritikët, sipas të cilëve, në këtë rast dorëheqja s’mund të cilësohet gjest fisnik.

Në një konferencë për shtyp, ministrja Moreira, një aleate e afërt e presidentit socialist Evo Morales, tha se po lironte postin për këdo që mendon se mund të bëjë më mirë, ndërsa theskoi se vet kishte dhënë maksimumin.

Por dorëheqja, para se ajo të dëshmonte në Kongres pikërisht për menaxhimin e krizës, ka bindur pak njerëz. Moreria do të jepte sqarime për një program racioni të ujit në kryeqytetin La Paz, diçka që solli përleshje mes banorëve dhe autoriteteve, madje edhe marrjen peng të disa përfaqësuesve të qeverisë.

Bolivia shpalli gjendjen e emergjencës për shkak të thatësirës, e cila ka shkaktuar protesta të mëdha në qytetet kryesore, ku furnizimi me ujë është pakësuar ndjeshëm, si dhe konflikte mes minatorëve dhe fermerëve në zonat rurale, për përdorimin e rezervave ujore.