Theresa May dha dorëheqje pas presionit të partisë së vet

24.05.2019 17:35:06

Nga Muhamet Hamiti

Kryeministresha britanike Theresa May njoftoi sot se do të japë dorëheqje më 7 qershor, pa i mbushur tri vjet në këtë detyrë.
Dorëheqja e saj vjen prej presionit të Partisë së saj Konservatore, mbasi figura të larta të saj konsideruan se nuk ia ka dalë të udhëheqë siç duhet procesin e BREXIT-it, të daljes së Britanisë nga BE-ja, mbi bazën e rezultateve të referendumit popullor të 23 qershorit të vitit 2016.
Jo opozita laburiste, por partia në pushtet e detyroi Theresa May-in të tërhiqet.
Ka moralitet në politikën britanike, edhe kur duket se skena politike është e hutuar, për faktin se popullsia është e ndarë pak a shumë në dysh rreth daljes së vendit nga BE-ja.
Theresa May kishte votuar për mbetje së Britanisë në BE. Kur mori detyrën e prijsëses së partisë së vet dhe u bë kryeministreshë, ajo u zotua të zbatonte vullnetin e shumicës popullore, që nuk ia doli ta bëjë.
Gjasat më të mëdha që May-n ta trashëgojë në detyrën e kryetares së Partisë Konservatore dhe të kryeministrit të vendit i ka Boris Johnson, ish-Sekretar i Jashtëm. Poashtu edhe ish-kryebashkiak i Londrës.