T’i jepet fund keqqeverisjes 10 vjeçare të mashtruesve dhe të dënuarve për korrupsion në Prizren!

19.09.2017 08:48:20

Nga Rexhep Kastrati

Prizreni ky qytet i kulturës, i historisë dhe i krenarisë kombëtare ka 10 vite që keqqeveriset nga një klikë njerëzish që e kanë kthyer këtë qytet në një simbol të korrupsionit.

Në krye të qeverisjes është një kryetar i dënuar, i cili është treguar i pafuqishëm për të penguar edhe korrupsionin kolektiv të qeverisjes komunale, të një klike njerëzish të identifikuar dhe të dënuar.

Ky qytet ka pasur fatin e keq që të ballafaqohet me mashtrime të mëdha për të fshehur edhe keqpërdorimet e mëdha, duke mbetur peng i një pamundësie për t’u bërë mirë me këtë lloj keqqeverisjeje.

Hashim Thaçi kishte shpallë Prizrenin Jerusalem, dhe kishte premtuar 80 milionë euro investime, por që askush nuk mund të thotë se janë realizuar as çereku i tyre.

Kadri Veseli po e vazhdon avazin e vjetër, duke bërë lojëra të ndryshme politiko-administrative, duke synuar kështu të qetësojë gjakrat e nxehura në degën e PDK-së, pas caktimit të Shaqir Totajt kandidat për kryetar komune nga ana e tij.

Koha është që Prizrenit t’i kthehet dinjiteti, t’i kthehet mirëqeverisja dhe të shkëputet nga historia e trishtë e keqqeverisjes 10 vjeçare.

Koha është që të mos funksionojnë format manipulative, as premtimet e shumta që do të bëjnë ata që janë mësuar të premtojnë shumë investime, por që bënë shumë korrpsion dhe keqpërdorime.