Tiranë, kundërshtojnë fizikisht policinë, një në pranga, dy në kërkim

17.01.2017 11:46:28

Dy persona kanë kundërshtuar me forcë policinë në momentet që kjo e fundit ka shkuar për t’i arrestuar. Një ditë më parë shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 6, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Kreshnik Ferrollari, 27 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për plagosje të lehtë me dashje si dhe shpalli në kërkim shtetasit G. R., 29 vjeç, banues në Tiranë dhe  N. Sh., 21 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, më datë 10 janar 2017, rreth orës 17:00, në rrugën “Loni Ligori”, në bashkëpunim me shtetasit N. Sh. dhe G. R., kanë goditur me sende të forta shtetasit A. H. dhe A. Sh., ku ky i fundit ndodhet i shtruar në S.Q.U., jashtë rrezikut për jetën.

Rreth orës 00:10, të datës 16 janar 2017, shtetasi Kreshnik Ferrollari, është konstatuar nga shërbimet e policisë, i cili ka qenë në shoqëri të shtetasve N. Sh. dhe G. R., të cilët kanë filluar të kundërshtojnë punonjësit e Policisë për shoqërimin e tyre në Komisariat dhe kanë kundërshtuar fizikisht punonjësit e policisë, ku Kreshnik Ferrollari ka dëmtuar edhe mjetin e policisë gjatë shoqërimit të tij. Dy shtetasit e tjerë N. Sh. dhe G. R., kanë arritur të largohen.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë Tiranë për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje e kryer në bashkëpunim”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik e kryer në bashkëpunim”, “Goditje për shkak të detyrës e kryer në bashkëpunim” dhe “Shkatërrim prone”, në ngarkim të shtetasit Kreshnik Ferrollari.

Gjithashtu u referuan materialet në Prokurorisë Tiranë për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje e kryer në bashkëpunim”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik e kryer në bashkëpunim” dhe “Goditje për shkak të detyrës e kryer në bashkëpunim”, në ngarkim të shtetasve N. Sh. dhe G. R.