Totaj pritet të emërohet ministër në vend të Beqajt

21.04.2018 16:10:52

Ish kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj pritet të emërohet ministër i Ministrisë së Inovacionit.

Emrimi i tij, do të bëhet pas shkarkimit të ministrit aktual, Besim Beqaj, ndaj të cilit është ngritur aktakuzë për përfshirjen në aferën “Pronto”.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka zhvilluar një takim me Shaqir Totajn. Ai ka kërkuar nga Totaj që të pranojë postin e ministrit të Inovacionit.

“Kryetari Veseli ia ka ofruar këtë post Totajt”, tregon për “PrizrenPress” një burim brenda PDK-së.

Totaj në një deklaratë për lajmi.net e ka konfirmuar se ka pasur bisedime në lidhje me këtë temë. Por nuk ka pranuar të jap detaje tjera.

“Ne kemi pasur bisedime, mirëpo për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit nuk mundem të tregoj më tepër. Mirëpo për që kemi pasur bisedime, kemi pasur. Çka ndodhë e tek ndodhë unë nuk e di. Nuk mund të konfirmoj se është punë e kryer, mundem të konfirmoj se kemi pasur bisedime”, ka thënë Totaj.

Prokuroria Speciale, ditë më parë, ka ngritur aktakuzë për disa persona, ndër ta edhe zyrtarë të lartë të PDK-së.

Në mesin e tyre është edhe ministri, Besim Beqaj.

“Veseli ka kërkuar nga Beqaj që ta lirojë detyrën e tij”, tregon burimi.

Shaqir Totaj, në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar ka qenë kandidat i PDK-së për kryetar të Prizrenit. Ai për pak vota e humbi garën e balotazhit me kandidatin e VV-së, Mytaher Haskuka.

Totaj, pas përfundimit të luftës ka qenë menaxher i ATK-së në Prizren.