Tregtarë flamujsh!

14.02.2018 19:17:15

Nga Melihate Termkolli

U mohua dhe u dogj flamuri i Dardanisë, midis Prishtinës, nga vandalë shqiptarë, të ashtuquajtur veteranë të luftës, më 2005. Pasi u dogj ai flamur, me njohjen e Pavarësisë së Kosovës, na erdhi flamuri shtetëror që e kemi tani. I mirë, i keq, ky është flamuri shtetëror i Kosovës. Sot, dëgjova se edhe ky flamur, u dogj diku në Gjilan, nga vandalë sigurisht, kushdo që të jenë. Ne, shqiptarët e Kosovës djegim vetëm flamuj tanë, të Kosovës sonë të dashur! Tmerr! Dhe atë në emër të “dashurisë” për flamurin kombëtar. Nuk duam t’ia dijmë se flamuri etno-kulturor kombëtar i shqiptarëve është edhe flamur shtetëror i Shqipërisë. Por ne shqiptarët e Kosovës nuk bëjmë zë vetëm për dy flamuj, kur valëvisin në ҁdo cep e në ҁdo skutë të shtetit tonë, për atë të Shqipërisë (edhe flamur kombëtar i shqiptarëve) dhe për flamurin e Serbisë! Pra, ne shqiptarët e Kosovës, duke mohuar flamurin e shtetit tonë, duke e djegur e nëpërkëmbur atë, po e mohojmë, po e “djegim” e po e nëpërkëmbim shtetin tonë dhe kështu edhe po e barazojmë flamurin e Shqipërisë (njëkohësisht edhe flamur etno-kulturor i shqiptarëve kudo që janë), me flamurin e Serbisë. Ҫ’farë idiotizmi! Shqiptarë të dashur, mos keni dert, me këtë mentalitet po shkojmë drejt dhe sigurtë në theqafje. Pushteti ynë, ҁ‘farë po bën?! Në pikë të natës e heqë flamurin etno-kulturor të shqiptarëve dhe e vendosë flamurin shtetëror të Kosovës, me një dramaticitet, thuase atë natë u ҁlirua Prishtina, nuk di nga kush tani. Gënjeshtarë, të dy palët, profiterë, tregtarë! Edhe ata që po e djegin flamurin shtetëror të Kosovës në emër të “dashurisë” për flamurin etno-kulturor kombëtar. Edhe këta, që në pikë të natës, e heqin njërin flamur e e vënë tjetrin (në emër të shtimit të njohjeve për Kosovën). Të dy palët, në fakt e duan veҁ një flamur. Atë që u sjell përfitime personale dhe asgjë tjetër. Turp! Politika dhe pushteti, me sjelljet e tij, deri sot nuk e ka bindur popullin se kemi një shtet sovran e të pavarur, dhe si i tillë duhet ta ketë *edhe flamurin e vetë unik. Pjesa tjetër (VV kryesisht), parreshtur manipulon me ndjenjat e qytetarëve shqiptarë, në emër të gjëja bashkimit me Shqipërinë e duke mohuar shtetin tonë, madje jo rrallë herë, duke e ngatërruar shtetin me pushtetin. Në krejt këtë zallamahi flamujsh, dhe jo vetëm, është vetëm një përfitues. Serbia. Serbisë nuk po i pengon më flamuri i Shqipërisë (njëkohësisht edhe flamur etno-kulturor i shqiptarëve) dhe as nuk po e shqetëson shumë Shqipëria si shtet (njëherë për njëherë). Serbinë po e pengon shteti i Kosovës, e me këtë edhe simbolet e saj shtetërore. Dhe për këtë nuk po derdhë shumë mund.