Trepça 89 kthehet te fitorja

22.09.2017 21:22:59
Në momentet më të duhura Trepça 89 i kthehet fitores. Kampioni aktual ka fituar minimalisht 1-0 në transfertë te Feronikeli, në ndeshjen hapëse dhe kryesore të javes së 6-të të Vala Superligës. Mitrovicasit luajtën mencur, me një mbrojtje te kujdesshme, ndërsa u mjaftuan me golin e mesfushorit Rron Broja, për t’i arkëtuar 3 pikë që do të shërbejnë si këndellje pas dy humbjeve të njëpasnjëshme.  Në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, Feronikeli pati dominimin sa i perkët posedimit të topit, por skuadrës së udhehequr nga Gani Sejdiu probleme i krijuan kundërsulmet e shpejta të mysafirëve. Në minutën e 28-të pas një aksioni të ndërtuar shumë mirë, 89-shi kaloi në epëri. Oto John asistoi për Rron Brojën.
Pjesa e mbetur e periudhës së parë ishte e qetë. Tensionet filluan në pjesën e dytë me Feronikelin që me doemos kërkonte pikë. Sidoqoftë edhe pse topin e mbante Nikli, rastet i kishte Trepca 89. Ishte portieri Faton Maloku, që bëri 2-3 pritje shumë të mira për të mbajtur gjallë shpresën e vendësve për një pikë. Drama nisi nga minuta e 78-të kur Granit Arifaj lëshoi këtë mundësi të 100% për gol. 10 minuta më vonë Ahmet Haliti largoi topin nga vija e fundit për ti mohuar golin nigerianit Oto John.
Tensionet e arritën kulmin në kohën shtesë. Fillimisht gjyqtar Kreshnik Vula dha penallti për Feronikelin. Megjithatë pas konsultimit me anësorin vendosi ta ndryshonte mendimin. Për më shumë se 4 minuta zgjati tollovia dhe protesta e futbollistëve vendës, të cilën përjetuan dezha vy, sepse edhe në ndeshjen e fundit në Rexhep Rexhepi ndaj Llapit u përballën me situatë të njejtë. Rezultati përfunditar Feronikeli Trepca 89 0-1. Trajneri i mitrovicasve, Sabit Osmani theksoi që kjo fitore do të ndihmojë shumë psikologjikisht ekipin e tij.
Ndërsa Gani Sejdiu, pati edhe njëherë kritika për fazën sulmuese të skuadrës poashtu komentoi edhe momentin më kontravers të ndeshjes.
Pas 6 ndeshjeve, dy kampionët e fundit të Kosovës zënë pozitën e 4-të dhe të 5-të në tabelë me nga 9 pikë.