TRESHI QË DO TA BËJ KOSOVËN PËRSHESH!

05.01.2018 17:51:40

Nga: Bajram Gecaj

Secili tek e tek, nga treshja e madhe plangprishëse Veseli, Thaçi e Haradinaj, kanë bërë të pabëra të cilat herë tinza herë hapur i kanë amortizuar apo edhe kamufluar në forma të ndryshme për kohë të gjatë. Tani kur u bënë bashkë të gjitha të palarat e tyre dhe mendësia shtetshkatëruese u forcuan për tu bërë një e madhe e stërkequr dhe doli në shesh lakuriq dhe neveritshëm. Kjo tashmë është tragjedi e re, jo vetëm politike, për Kosovën.


Pa moral për ta mbështetur drejtësinë në Kosovë, shesin moral se do t’i mbrojnë vlerat e luftës. Nuk e thonë por del se kështu mund të bëhet vetëm duke u prishur me shtetet e QUINT-it. Të pakulturuar e të rrezikshëm deri në delikuencë e krime, na flasin për kulturën e ndëshkimit. Nuk e thonë por del se ata mudkan të gjykojnë drejtë e pa hile. Gjithnjë e më shumë refuzues ndaj vlerave perëndimore na flasin për bashkëpunimin dhe miqësinë me SHBA-të. Nuk e thonë por kuptohet nga reagimet e perëndimorëve se gënjejnë aq sa janë të korruptuar. 


Kjo treshe e ka sjell Kosovën para një gremine jo vetëm politike. Të pandershëm në atë që po bëjnë, gënjeshtar në atë që po thonë, ata bashkë shtyjnë Kosovën me gjithë qytetarët në greminën ku të gjithë humbim pariparueshëm, por vetëm ata dhe klanet e tyre mund t’i mbrojnë ato që i kanë fituar pa djersë e pa nder, tash e shumë vite.
Për shkak se kjo treshe është e tillë dhe bukpërmbysëse , shtetet e QUINT-it, na janë drejtuar me thirrje alarmi, për ta ndryshuar kursin nga kjo theqafje ku po na dërgojnë ata. Nga QUINT-i na u tha se ‘suksesi i Kosovës është në interesin tonë’. Sot nga të gjithë ata që ja duan të mirën këtij vendi, duhet të kuptohet dhe në këtë drejtim të veprohet se, interesat e Kosovës, intersat e qytetarit të saj po edhe të QUINTI -t mvaren nga dështimi i kësaj treshe. Dështimi i kësaj treshe është rilindje jo vetëm politike për Kosovën.