Tubimi i LDK-së dhe koalicionit një madhështi me frymë dhe emocion optimist për fitoren

02.06.2017 00:08:00

Nga Rexhep Kastrati

Tubimi i LDK-së me koalicionin, në Prishtinë ishte vërtet një shfaqje e bukur artistike të cilën të tillë e bënë edhe mbështetësit e flaktë të këtyre partive, por edhe drejtuesit e tyre dhe miku i LDK-së dhe i Kosovës, kryetari i PPE-së, Joseph Daul. Kjo shfaqej e bukur artistike që kishte regjisor ndjenjat e fuqishme të vetë mbështetetsëve të partive të koalicionit, e që la të rridhnin ndjenja, simpati dhe ndërlidhje emocionale-shpirtërore, e që shprehej me format më të bukura dhe më të zjarrta. Edhe drejtuesit e partive të koalicionit, edhe Joseph Daul, edhe kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti, iu përgjigjen kësaj atmosfere me urti, me devotshmëri e përkushtim dhe folën për rezultatet e arritura gjatë dy viteve qeverisjeje, edhe planifikimet qeverisëse për mandatin e ardhshëm, edhe për çështje të mëdha si ushtria, por edhe për integrime euro-atlantike. Dhe nuk ishin fraza boshe dhe të pamenduara, por të gjitha ishin të matura, të planifikuara, të studiuara dhe të garantuara se do të realizohen. Dhe do të realizohen se për këtë program do të punojnë 30 doktorë shkencash, 45 magjistra shkencash dhe një dyzinë ekspertësh të lëmive të ndryshme. Siç tha Ilir Deda, Avdullah Hoti është kryeministri im, i cili ka mbrapa gjithë këta ekspertë. Dhe madhështia e këtij tubimi ishte se kishte një harmoni të plotë ndërmjet bukurisë që ia jepnin mbështetësit e partive të koalicionit, dhe fjalimeve të atyre që folën në këtë tubim. Dhe kjo harmoni bazamentin e kishte në rugovizmin, në emrin dhe veprën e presidentit Rugova, e që bënte që të kishte shpërthime të forta emocionale, duartrokitje të forta dhe thirrje të fuqishme. Në sytë e gjithsecilit dhe të gjithsecilës vërheshin shkëndija të forta optimizmi për fitoren dhe këto shkëndija duhet të rriten, të fuqizohem dhe të ndriçojnë rrugën e fitores!