Turqi-Kosovë, mentaliteti i robit

28.07.2016 10:07:19

Imer MushkolajCapture

Kosova ndodhet para një testi të rëndësishëm: si t’i përgjigjet Ambasadës së Turqisë në Kosovë, në kërkesën për të marrë masa ligjore ndaj gazetarit Berat Buzhala? Natyrisht, e para që duhet të bëjë zyrtarisht Ministria e Jashtme kosovare është që ambasadës, respektivisht qeverisë turke, t’ia sqarojë se kallëzimet penale bëhen në prokurori ose polici dhe se kërkesa është drejtuar në adresë të gabuar.

Fatmirësisht, Kosova nuk është një vend ku gazetarët ndiqen penalisht dhe kjo duhet t’i bëhet e qartë Ankarasë. Është e rëndësishme se çfarë deklarojnë publikisht zyrtarët shtetërorë për këtë çështje, por më e rëndësishme është se çfarë përgjigje zyrtare do t’i jepet kërkesës së shtetit turk. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që në këtë rast zyrtarët përgjegjës të mos veprojnë me mentalitetin e robit, të mos veprojnë me mentalitetin paternalist.

“Kosova është një shtet i ri i vogël që, megjithatë, ka nevojë që ta ruajë prestigjin, krenarinë dhe kredibilitetin ndërkombëtar, t’i mbrojë interesat e qytetarëve të saj, po aq sa edhe t’i ruajë raportet e mira me vendet mike”, ka delaruar të mërkurën ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, duke e cilësuar kërkesën e Ankarasë si të pazakontë dhe të papranueshme. Përgjigje të ngjashme, Ankaraja duhet të marrë edhe zyrtarisht.

Sepse, kërkesa e qeverisë turke është në kundërshtim me parimin e lirisë së shtypit dhe shprehjes dhe, po ashtu, përpjekje për të imponuar ndikimin politik në sistemin e drejtësisë së Kosovës. Prishtina nuk duhet të veprojë kurrsesi sipas tekeve të Ankarasë, edhe pse shumëkush e dëshiron një gjë të tillë. Në fakt, e dëshirojnë të gjithë ata që tek Rexhep Taip Erdogan shohin “babën” dhe tek vetja robin që i përkulet atij. E të tillë ka mjaft në Kosovë. Fatkeqësisht.

Mentalitetin e robit e ka nxjerrë në pah edhe njëherë tentimi për puç ushtarak në Turqi. Numër i madh i kosovarëve nuk kanë ngurruar që me ditë të tëra të merren me këtë çështje në diskursin publik, duke e mbrojtur Erdoganin si ta kishin baba, me arsye krejtësisht joracionale, absurde e shpesh edhe banale.

Banale si deklaratat e tipit se Perandoria Osmane nuk ka qenë pushtuese, që vijnë nga njerëz që fenë e keqpërdorin për politikë dhe për të fituar vota. Banale si ato të tipit se duhet ndërruar historia kosovare që e konstaton një gjë të tillë. Kosova është e kapur nga ndikimi politik turk dhe mentalitetin e robit e kanë promovuar dhe lejuar politikanët, udhëheqësit shtetërorë kosovarë. Tashmë shtetit turk i janë dhënë asete të rëndësishme ekonomike dhe është krijuar një varësi e frikshme edhe politike. Por, kjo nuk don të thotë se duhet vazhduar kështu. Aq më pak se duhet pranuar diktatin e Ankarasë.

Askush nuk mundet dhe nuk duhet ta kontestojë ndihmën që Turqia ka dhënë në çlirimin e Kosovës nga Serbia dhe në shtetndërtimin e saj. Për këtë, kosovarët janë dhe duhet të jenë përjetë mirënjohës. Por, kjo nuk don të thotë se duhet t’ia bëjnë aminin secilës kërkesë të shtetit turk. Kosova është shtet i pavarur dhe, pavarësisht sa i vogël dhe i dobët mund të jetë, duhet të tregojë integritet.

* * *

Rexhep Taip Erdogan, një autokrat që po rrëshqet drejt diktatorit, mund të burgosë e të dënojë gazetarë e kritikë në vendin që udhëheq, por kurrsesi nuk duhet lejuar që një gjë të tillë ta arrijë edhe në Kosovë. Më shumë se kritikat, Erdoganin e shqetësojnë ironia, satira. Si ajo e Buzhalës. Në prill të këtij viti, ai ishte ankuar ndaj komedianit gjerman Jan Boehmermann, që e kishte thumbuar atë nëpërmjet një vjershe satirike. Qeveria turke dërgoi notë proteste dhe deklaroi se komediani duhej të dënohej për ofendim të një kryetari të shtetit. Një gjykatë ndaloi publikimin e vjershës dhe vendosi masë të përkohshme për komedianin, i cili mund të gjobitet dhe dënohet në rast se do të përsërisë recitimin e saj. Paraprakisht, kancelarja Angela Merkel kishte deklaruar se në këtë rast, gjykatat do ta kenë fjalën e fundit, porse kishte paralajmëruar dekriminalizimin e fyerjes ndaj liderëve të huaj. “Në një shtet të së drejtës, një qeveri nuk bën tregti me të drejtat personale dhe lirinë e shprehjes, por këtë e vendosin gjykatat dhe prokuroria”, kishte thënë Merkel. Por ndryshe nga ajo, në Prishtinë për Rastin Buzhala ende nuk janë deklaruar krerët e shtetit – as kryeministri, as kryeparlamentari, as presidenti. A nënkupton heshtja e tyre pajtim me kërkesën e Ankarasë? A janë vënë ata në siklet dhe nuk dinë si t’i përgjigjen Erdoganit? A nënkupton heshtja e tyre se e kanë ndërmend të vazhdojnë së jetuari në mentalitetin e robit karshi Turqisë? Një heshtje e frikshme kjo.

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi ka deklaruar tashmë se në rastin e Buzhalës nuk ka parë elemente të veprës penale. Natyrisht, të gjitha veprimet e nevojshme duhet të ndërmerren në përputhje me legjislacionin vendor, por kurrsesi nën diktatin e Erdoganit. Nuk jemi robër të Turqisë!