Turqi: Lirohen më shumë se 800 ushtarë të arrestuar pas puçit të dështuar

31.07.2016 15:55:25

Gjykatat në Turqi i kanë liruar më se 800 obligues ushtarakë që ishin të arrestuar në kuadër të hetimeve lidhur me puçin e dështuar të 15 korrikut, kanë raportuar mediat shtetërore.

Në Stamboll dje, 758 prej 989 obliguesve nën arrest, ishin liruar nga Zyra e prokurorit publik, pas vendimit gjyqësor.

Në mesin e të liruarve ka pasur edhe studentë universitarë.

Një gjykatë në kryeqytetin Ankara i ka liruar 47 obligues ushtarakë të arrestuar.

Sipas të dhënave më të reja të shpallura nga ministri i brendshëm i Turqisë, Efkan Ala, më se 9 mijë njerëz, shumica në ushtri, janë nën arrest pas grushtshtetit të dështuar.

Gjatë këtij grushtshteti janë vrarë më se 200 vetë.

Mijëra të tjerë janë arrestuar, por kundër tyre nuk janë paraqitur akuza formale.