U filmua duke përqafuar dhe qetësuar emigrantin e lodhur afrikan, kërcënohet me jetë punonjësja e Kryqit të Kuq

25.05.2021 14:58:04

Punonjësja e Kryqit të Kuq e cila u filmua duke përqafuar dhe munduar ta qetësojë emigrantin e lodhur senegalez me të shkelur në tokën e Spanjës pas udhëtimit të gjatë nga Afrika, ka bërë të ditur se është duke u ofenduar dhe kërcënuar në internet nga persona të ndryshëm.

Luna Reyes, 20-vjeçe, me pamjet e saj u bërë virale kur gazetari i Reuters e filmoi duke përqafuar burrin që kishte arritur në Spanjë.

Ai ishte një prej 8.000 emigrantëve që janë futur në territorin e Spanjës. Ata marrin rrugën drejt Evropës duke shpresuar për një jetë më të mirë.

Reyes që punon si vullnetare për Kryqin e Kuq që nga marsi si pjesë e studimeve të saj, ka thënë për mediat lokale se i ishte afruar burrit për t’i ofruar një shishe me ujë, por ai kishte shpërthyer në lot duke u hedhur në përqafimin e saj.

“Ai po qante, më përqafoi sepse ishte shumë i lodhur dhe mërzitur”, ka thënë ajo për The Guardian.

Prej asaj kohe, videoja ka fituar vëmendje në Spanjë, duke shkaktuar pakënaqësi tek një grup i caktuar që nuk ishin pro veprimit të saj.