U zhvillua takimi i parë i grupit të veçantë për normalizimin në mes të Kosovës dhe BE-së

21.03.2017 15:07:03
Delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri po qëndron sot në Bruksel, për të marrë pjesë në takimin në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përkatësisht në takimin e parë të Grupit të veçantë për normalizim në kuadër të Stabilizim Asocimit në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës se Kosovës

“Ky takim është obligim i dalë nga Marrëveshja për Stabilizim  Asociim në mes të Kosovës dhe BE-së, e cila në nenet 5 dhe 13-të, parasheh zotimin e shtetit të Kosovës që të vazhdojë në angazhimin për përmirësimin e dukshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Serbinë dhe bashkëpunimin efektiv me Misionin e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes derisa janë në fuqi. Këto angazhime përbëjnë parimet thelbësore të MSA-së në mes të Kosovës dhe BE-së”, thuhet në njoftimin e Zyrës së ministres për dialog.

Delegacioni i kryesuar nga ministrja Edita Tahiri është i përbërë nga përfaqësuesit e institucioneve relevante të shtetit të Kosovës: ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj, Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Bernard Nikaj, Zëvendës Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, Kryeshef i AKREP-it,  Kreshnik Gashi, Kryeshef i KOSTT-it, Mustafë Hasani si dhe zyrtarë tjerë nga shteti i Kosovës.