“UÇK kreu krime në shtëpinë e verdhë”- Glauk Konjufca tregon kush është zyrtari rus në Këshillin e Evropës që hartoi raportin e Dick Martyt

27.04.2020 17:09:41

Konjufca në emisionin “Debat plus” thotë se mocioni për rezolutë në Këshill të Evropës ishte paraqitur në vitin 2008.

Ishte Konstantin Kosachev, asokohe kryesues i deputetëve të Federatës Ruse në Këshill të Evropës, që propozoi këtë mocion.

Mendoj se raporti i Dick Martyt është iniciuar nga Rusia dhe këto fakte i kam mbledhur sa kam qenë pjesë e delegacionit të Evropës kur është miratuar raporti. Unë kam qenë pjesë e Këshillit prej vitit 2011 deri në vitin 2015 dhe pjesa që më së shumti që më ka interesuar është raporti i Dick Martyt. Kur kam hyrë në arkivat e këtij Këshilli dhe çfarë kam gjetur ka qenë shumë e habitshme dhe e neveritshme”, thotë Konjufca, përcjell Telegrafi.

Ai thotë se ky mocion ishte dorëzuar dy javë nga Kosachev pas publikimit të librit nga prokurorja Carla Del Ponte.

“Në arkiv e kam gjetur mocionin i cili është dorëzuar në Komitetin Juridik dy javë pas publikimit të librit të Carla Del Pontes. Mocionin e kishte dorëzuar Konstantin Kosachev. Kosachev ka qenë udhëheqësi i deputetëve të delegacionit rus. Konstantin Kosachev pasi e boton Del Ponte librin, ku thotë që në këtë periudhën maj-qershor 1999 dhe gjashtë muaj kur është çliruar Kosova, 300 persona janë zhdukur në Kosovë dhe janë dërguar në Shqipëri, pretendimi i saj, janë hequr organet dhe me to është bërë tregti, duke aluduar në pjesëtarë të UÇK-së. Dy javë rri gati Kosachev dhe e deponon një mocion i cili e ka emrin ‘Mocion për trafikimin e organeve gjatë konfliktit në Kosovë dhe të trajtimit çnjerëzor’”, tregon ai.

Marty, që hartoi një raport i cili akuzonte krerët e UÇK-së, përfshirë edhe presidentin aktual të Kosovës Hashim Thaçi, për përfshirje në “trafik organesh, rrëmbime dhe keqtrajtim të të burgosurve” gjatë luftës, ka thënë të jetë interesuar në Tribunalin e Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi në lidhje me informatat dhe dëshmitë e mbledhura në terren rreth asaj që është quajtur “shtëpia e verdhë”. Mbi bazën e raportit të Martyt është themeluar edhe Gjykata Speciale në Hagë.