UKT: Ja pse do të paguani më shumë në faturën e ujit

13.11.2016 10:41:51

Për muajt Tetor dhe Nëntor, një pjesë e konsumatorëve në kryeqytet do të vërejnë një vlerë të shtuar të taksës së ndërtesës në faturën e ujit.

Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Tiranë, sqaron konsumatorët se gjatë  muajve Janar, Shkurt, Mars dhe Prill – taksa e ndërtesës në faturë ka qenë 0, ndërsa në muajin Maj ka filluar aplikimi i saj.

UKT shton se vetëm për muajt Tetor dhe Nëntor, në faturën e ujit për  një pjesë të konsumatorëve do të ketë një vlerë të shtuar prej 150 lekësh, e cila nuk presupozon një tarifë të re apo rritje e taksës aktuale, por thjesht vjelje e tarifës së prapambetur.

Ndërkaq, në muajin Dhjetor, përveç konsumi i muajit aktual do të tarifohet dhe vlera e prapambetur e muajit Janar 2016, prej 100 Lekësh. Ndër të tjera, Shoqëria Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, informon se gjatë muajit janar 2017, situata do të kthehet normale për të gjithë konsumatorët, ku do të kenë të njëjtat zëra dhe tarifa si detyrim për tu paguar.