Unë jam vetëm era/ Vargje nga Hana Xhihani

31.07.2021 21:49:02
Unë jam vetëm era.
Vij të përqafoj
kujtimet e stërgjyshërve,
gjyshërve,
hallave ;
zërin e babait, nënës, vëllait tim.
Unë jam vetëm malli.
Shpërngulem mijra kilometra,
edhe pse shirat përmbytën hapat,
zërin e kahershëm të tyre.
Vij për të vaditur me lotin tim një qytet të heshtur,
ku me sytë e dhimbjes shoh parcelat e thara,
që më ngrijnë shpirtin duke thyer vullnetin tim.
Por,
qëndron edhe një qyteti me njerëz në lëvizje,
ku fryma më meket e s’di të këndoj.
Atje, pushtetin e zërit e marrin gjinkallat.
Zhapikët fillojnë e të shoqërojnë duke të ngatërruar rrugicat.
Lulet gjembaçe të ngjiten në trup e duan të të thonë diçka.
Por, unë,
që nga porta e fluturimit filloj e vizatoj portrete.
Shpesh, udhëtimi i gjatë ia prish ngjyrat.
Ndonjëherë duken sikur qajnë bashkë me mua.
Ah e kaluara, e kaluara
më lidh kaq shumë me këtë qytet.
Gaboj që besoj se jam vetëm.
Kujtimet më flasin në ç’do kohë.
A e dini ?
Në rrugicën e lagjes time fshihet edhe një fik i madh.
Mban erën e reçelit
e unë kam frikë ta blej në dyqan,
sepse nuk ka të njëjtën aromë.
E di,
të tjerët s’kanë si të kuptojnë shijen time
… unë buzëqesh.