Unë nuk jam person që punoj sipas qejfeve ose tekeve të partive të ndryshme politike, tha Kelmendi

01.11.2016 19:00:31

Zëvendëskryeministri i ri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, në intervistën në Info Magazine, i është përgjigjur deputetit të PDK-së, Shaip Muja, i cili pas largimit të Kelmendit nga partia e tij për në LDK ku edhe u emërua si zëvendsëkryeministër, kishte thënë se Kelmendit i ka mbetur vetëm Lista Serbe.

“Muja nuk vendos për synimet e mia, ka të drejtë të vendosë për synimet e tij, në atë listë që përmend është një formë tentimi që këtu vlen një Kanun ose Ligj i pashkruara që nuk është obligativ për njerëzit intelektual”, tha Kelmendi.

Ai ka thënë se me partinë më të madhe opozitare nuk i kanë vizionet e njëjta.

“Nuk vendosin tipat e tillë se kush do të jetë zëvendëskryeministër, dallimet e mia me Vevetëvendosje janë shumë të mëdha, ata janë që të varfërojnë kapitalistët dhe të barazojnë me qytetarët e tjerë”.

Kurse për liderin e partisë së AAK-së, pjesë e të cilit ishte edhe vet, ka thënë se ka shumë respekt.

“Unë kam qenë pjesë e AAK-së deri në vitin 2014, është e ditur që mbështetja ime ndaj Haradinajt sa ka qenë në Gjykatën e Hagës, ka qenë diku gjysmë milioni euro. Haradinaj më është falënderuar dhe nuk jam fare pishman që e kam mbështet. Do ta mbështesja edhe sot”, tha ai

Kelmendi thotë se pretendimet që ka marrëdhënie tregtare me Serbinë janë gënjeshtra.

“Është gënjeshtër e vazhdueshme, është tendencë për të minimizuar aftësitë e mia, nuk jam as i dyti e as i dhjeti, ka shumë të tjerë para meje që janë në shërbim të politikave të ndryshme”.

“Ndikimi im ekonomik në Kosovë është i madh, ata që merren me çështjen e Serbisë janë të varfër. Në Serbi ka 90 % të firmave që janë privatizuar nga shtetet e perëndimit dhe të gjitha veprimet e mia ekonomike janë konform rregullave”

“Unë nuk jam person që punoj sipas qejfeve ose tekeve të partive të ndryshme politike”.

Ndonëse nuk ka potencuar emra, Kelmendi ka thënë se një këshilltar i partisë më të madhe opozitare ka qenë importues i mallrave të Serbisë.

“Këshilltari i lartë i Vetëvendosjes ka qenë importues i madh i produkteve të Serbisë, gjysma e tyre vajtojnë. Ka deklaruar edhe publikisht, këshilltari i lartë për çështje ekonomike ka importuar mallra nga Serbia përmes Maqedonisë”, tha Kelmendi.