UP-ja vendos kritere të larta për angazhimin e personalitetit të jashtëm

UP-ja vendos kritere të larta për angazhimin e personalitetit të jashtëm

16.07.2017 18:33:49

Senati i Universitetit të Prishtinës ka miratuar një rregullore për rekrutimin e stafit të jashtëm përmes të cilës ka vendosur kritere të njëjta sikur për personelin që konkurron për punësim të rregullt. Kështu, për t’u bërë ligjërues në UP, si staf i jashtëm, duhet të kesh doktoratë të nostrifikuar dhe të paktën një punim shkencor në revista ndërkombëtare. Ndërsa, për t’u bërë asistent i angazhuar duhet të kesh më pak se 30 vjet, të kryer magjistraturën dhe notat mesatare në të dy nivelet më sh

Universiteti i Prishtinës, për herë të parë, i ka vendosur rregulla të qarta për gjithë ata që do të angazhohen si profesorë e asistentë të jashtëm në procesin mësimor. Rregullorja do të vlejë për rekrutimin e stafit për vitin akademik 2017/18.

Në mbledhjen e fundit të Senatit është miratuar Rregullorja e procedurave vlerësuese për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm, përmes të cilës kanë specifikuar kriteret për gjithë ata që dëshirojnë të angazhohen si ligjërues e asistentë të angazhuar.

Kështu, për t’i bërë ligjërues, duhet t’i plotësosh kriteret e njëjtë që duhet t’i plotësoni kur konkurroni për staf të rregullt.

“Të ketë gradën shkencore Doktor i shkencave nga lëmia përkatëse. Të ketë së paku një publikim në revistat shkencore ndërkombëtare…”, thuhet në kriterin që ka të bëjë me angazhimin e ligjëruesve.

Ndërkaq, për asistentë kërkohet të jeni më pak se 30 vjeç, të keni të kryer studimet master dhe të keni notat mesatare në të dy nivelet jo më pak se 8.

“Të kenë të përfunduar studimet master. Të ketë notë mesatare jo më të vogël se në të dy nivelet. Të jetë jo më i vjetër se 30 vjet, respektivisht jo më i vjetër se 35 vjet në Fakultetin e Mjekësisë në momentin e angazhimit””, thuhet më tej në kriteret e rregullores.

Veç kësaj, aty sqarohet se stafi i angazhuar nuk merr kurrfarë titujsh akademik, por, angazhohen vetëm si staf i jashtëm. Pra, askush që ligjëron si staf i jashtëm nuk e ka gradën e profesorit e as të asistentit, shkruan Express.

Sipas Rregullores, stafi i angazhuar nuk ka të drejtë në pushim vjetor. Ky dokument, poashtu, nuk lejon të angazhohen stafin i cili ka dy vende pune tjera.

Universiteti i Prishtinës, për çdo vit, angazhon së paku një mijë persona si staf të jashtëm pasi ka mungesë të stafit të brendshëm.