Vajza e Ymer Elshanit, Teuta, bën kërkesë më shkrim që shtëpia e babit të kthehet në muze

15.07.2021 18:22:22
14 Korrik, 2021
Sot edhe zyrtarisht bëra kërkesën me shkrim për shtëpi-muze të shkrimtarit Ymer Elshani, si vijon më poshtë:
Përshendetje të nderuar ekip i MKRS,
Emri im është Teuta Elshani, dhe vij nga komuna e Drenasit, fshati Korroticë e Ulët.
Më 12 korrik 2021, u takova me zv. ministren Daulina Osmani dhe bisedova me të për idenë e kthimit në muze të shtëpisë së shkrimtarit Ymer Elshani, babait tim.
Ymer Elshani u vra më 17 prill 1999, në masakrën e Poklekut (Drenas), së bashku me gruan, 4 djemtë, nënën, kunatën, plot 54 civilë.
Më poshtë kam shkruar më shumë detaje rreth jetës së shkrimtarit dhe masakrës, të cilës unë i shpëtova, pasi qëllova në Prishtinë në atë kohë.
Si e mbijetuara e vetme e familjes së shkrimtarit Ymer Elshani, përveç të gjitha dorëshkrimeve që ja botova prindit pas luftës, një tjetër mision që i vura vetes time është të ruaj shtëpinë e tij, si një monument ku shkrimtari jetoi dhe punoi gjithë jetën e tij, dhe e cila i shpëtoi luftës. Pronësia e shtëpisë nuk është problem pasi që e transferova vitin e kaluar në emrin tim.
Znj. Osmani, gjatë takimit të kësaj jave, më udhëzoi të filloja këtë email si hapi i parë në zbatimin e kësaj kërkese, për ta përfshirë këtë shtëpi në listën e monumenteve kombëtare, dhe për këtë kam nevojë për mbështetjen shtetërore.
Unë do të jem e gatshëm për bashkpunim në çdo hap të këtij procesi dhe shpresoj shumë që kjo kërkesë të merret parasysh, tani pas 22 vitesh përpjekje nga ana ime, por pa sukses deri tash.
Ju falenderoj për mirëkuptim dhe mbështetje në këtë kërkesë!
Teuta Elshani
——————————————————————————————————————————————————————————————————————————————————–
SHËNIME PËR SHKRIMTARIN YMER ELSHANI
Poeti, prozatori dhe kritiku letrar, Ymer Elshani, u lind në fshatin Korroticë e Ulët të Drenasit më 14 qershor 1948. Rrjedh nga një familje e varfër. Babai, Nazifi, i rriti me vështirësi gjashtë djemtë dhe katër vajzat. Ymeri ishte djali i madh i tij.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje (ciklin e ulët) dhe në Komoran (ciklin e lartë) Shkollën normale dhe Fakultetin filozofik, Dega e gjuhës dhe letërsisë shqipe, i kreu në Prishtinë. Po aty, më 1978, magjistroi në lëmin e poezisë për fëmijë.
Që nga viti 1968 punoi në arsim në shkollën fillore “Jeta e Re” të Komoranit. Aty ligjëroi lëndën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Me të kryer fakultetin, punoi si profesor në gjimnazin “Skënderbeu” të Drenasit.
Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, punoi edhe pak kohë si profesor, e pastaj u zgjodh drejtor i shkollës së mesme “Skënderbeu”. Para se të kryente mandatin, më 2 prill 1981, shpërthyen demonstratat në Drenas. Ymerin e hoqën nga pozita e drejtorit dhe e përjashtuan nga puna si përgjegjës për demonstrata dhe fajtor i ngjarjeve “kundërrevolucionare”, që ndodhën në atë vit. Mbeti pesë vjet pa punë.
Më 1985 zuri punë në “Ferro-nikel” si përkthyes, sepse në arsim nuk iu lejua të punonte. Shkrimet nuk i botoheshin dhe në çdo hap ndiqej nga shërbëtorët e SPB-së.
Pas vitit 1990 zgjedhet në kryesinë e Sindikatave të Pavarura të “Ferro-nikelit”, kurse më 1992 largohet nga puna, si tepricë teknologjike. Më 1994 kthehet në Gjimnazin “Skënderbeu” si zëvendësdrejtor. Aty punoi një vit e gjysmë. Më 1996 emërohet këshilltar pedagogjik i lëndës së gjuhës dhe letërsisë shqipe. Vitet e fundit të jetës me terë qenien u zotua për pavarësimin e shkollës shqipe. Shkonte në çdo shkollë fillore të komunës. Hospitonte në orë, udhëzonte dhe përpiqej për mirëvajtjen dhe përparimin e arsimit.
Me krijimtari letrare u mor qysh si nxënës i shkollës fillore, që në moshën 10-vjeçare. Librin e parë “Anija e miqësisë” e botoi në moshën 19 vjeçar, si normalist në Prishtinë. Gjatë gjithë jetës së vet Ymer Elshani shkroi dhe botoi në periodikun letrar në Kosovë dhe Maqedoni, kryesisht poezi, tregime, drama e romane për fëmijë.
Nga viti 1967 e deri më 17 prill 1999, kur u vra mizorisht nga barbarët serbo-sllavë, botoi një varg librash artistikë (4 vëllime me poezi për fëmijë, 5 vëllime me tregime dhe 2 romane për fëmijë): Anija e miqësisë (vjersha, 1967), Çka ëndërrojnë lulet (vjersha, 1971), Ndodhitë e Hundëkarrotës (roman, 1971, 1979), Loti udhëtar (tregime, 1972), Ishulli i lumturisë (tregime, 1973), Aventurat mbi trotinetin e vjetër (roman, 1975), Guri i çmueshëm (tregime, 1977, 1999), Unaza magjike (vjersha, 1980), Plaku me violinë (tregime, 1984), Kalorësi i bardhë (poemë, 1987), Përjetimet e Bardhoshit (tregime, 1989). Qe njohur edhe në “dheun amë”, me romanin Ndodhitë e Hundëkarrotës të ribotuar në Tiranë më 1987. Ndërsa zgjedhje poezish e tregimesh nga vepra e këtij autori u botuan edhe në Tiranë, Shkup, Beograd dhe Lubjanë.
Në vitin 2019, me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe shtëpisë botuese ”MESHARI”, në Prishtinë u botua vepra letrare e plotë e Ymer Elshanit, në 11 vëllime .
VJERSHA PËR FËMIJË:
1. Anija e miqësisë (vjersha). Pionieri, Prishtinë 1967
2. Çka ëndërrojnë lulet (vjersha). Rilindja, Prishtinë 1971
3. Unaza magjike (vjersha). Rilindja, Prishtinë 1980
4. Kalorësi i bardhë (poemë). Rilindja, Prishtinë 1987
5. Ylli ëndërrimtar (vjersha). Rilindja, Prishtinë 2000
6. Përralla për ylberin (poemë). ROZAFA, Prishtinë 2000
7. Zogu i lirisë (vjersha). ZEF SEREMBE, Prishtinë 2001
8. Gjelastreni mendjelehtë (vjersha). GUTENBERG, Prishtinë 2003
9. Le të vijë në Sharr pranvera (poema).ROZAFA, Prishtinë 2002
TREGIME PËR FËMIJË:
1. Loti udhëtar (tregime). RILINDJA, Prishtinë 1972
2. Ishulli i lumturisë (tregime). RILINDJA, Prishtinë 1973
3. Guri i çmueshëm (tregime). RILINDJA, Prishtinë, 1977; OSCE 1999
4. Plaku me violinë (tregime). RILINDJA, Prishtinë 1984
5. Përjetimet e bardhoshit (tregime). RILINDJA, Prishtinë 1989
6. Vajza e diellit (tregime). RILINDJA, Prishtinë 2000
7. Njohja e trimave (tregime e përralla). ROZAFA, Prishtinë 2000
8. Gjeli i kuq (tregime të zgjedhura). ASDRENI, Sh. 2000
9. Flokargjendta (tregime të zgjedhura). ROZAFA, Prishtinë 2004
ROMANE PËR FËMIJË:
1. Ndodhitë e Hundëkarrotës (roman). RILINDJA, Prishtinë 1971, 1979, 1987
(romani u botua nga ShB “NAIM FRASHERI”, Tiranë 1987)
2. Aventurat mbi trotinetin e vjetër (roman). RILINDJA, Prishtinë 1975
3. Udhëtimet e Xhuxhimaxhuxhit (roman). Prishtinë 2008
Punim studimor (Tema e magjistraturës):
1. Aspekte të poezisë sonë për fëmijë (1945-1976). ANDENA, Prishtinë 2013
Dihet fati tragjik i Ymer Elshanit (14 qershor 1948-17 prill 1999) nga Korrotica e Ulët e Drenasit, Kosovë, këtij krijuesi të talentuar për fëmijë. Është unik në gjithë rruzullin tokësor. Të hulumtosh gjithë kronikat e popujve të çdo kontinenti nuk mund të gjesh histori më të dhimbshme e më çnjerëzore, më kriminale e më makabre. Është historia-simbol e nënë Kosovës, e masakrës serbe mbi të.
Dhe fatin e tij tragjik na e përshkruan studiuesi i jetës e i veprës së tij, Dr. Xhevat Syla, në librin “Universi i mirësisë” (Prishtinë, 2008), në faqen 20: “[…] më 15 prill 1999, Ymeri bashkë më familjen u dëbua nga fshati. U vendos në fshatin Poleku i Vjetër. Më 17 prill 1999, herët në mëngjes, ai bashkë me gruan, fëmijët, nënën, babanë e bashkëfshatarë të tjerë tentojnë të hyjnë në Drenas, por policia gjysmën e asaj turme e kthen prapa, me premtimin se nuk do t’i prekte. Ymeri me të vetët, por edhe me bashkëfshatarë të tjerë, strehohen në shtëpinë e Sinan Muçollit për t’i terur rrobat e bëra qull nga shiu që binte rrëke, me vetëtima e bubullima të pandalura. Po atë ditë, në orën 17,00 policët serbë kishin hyrë në shtëpinë e Sinan Muçollit dhe nga turma e strehuar aty, ku kishte edhe mjaft fëmijë, gra, vajza, kishin nxjerrë Ylmer Elshanin dhe Sinan Muçollin. Sapo i kishin nxjerrë jashtë, ishin dëgjuar krismat e automatikëve, të cilët ua kishin shuar jetën mizorisht. Pas kësaj policia kishte hedhur bombë në dhomën ku po qëndronin të strehuarit e tjerë, pesëdhjetë e shtatë vetë. Ndërkohë, nëpër tymin që mbështillte krimin e paparë në atë dhomë, një polic zbraz breshëri plumbash nga automatiku. Mbetën të vdekur pesëdhjetë e tre vetë. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshortja e Ymer Elshanit, Nafija (45 vjeçe) me të katër bijtë: Ardianin (25), Miranin (20), Kujtimin (15) dhe Nderimin (10), si dhe kunata, Shukrija. Të nesërmen, në një shtëpi afër, vritet edhe nëna e Ymer Elshanit […]”.
Shpëtoi vetëm vajza e tij, Teuta, e cila në atë kohë ishte studente në Prishtinë. Kështu u ndërpre, pa precedent, jeta e një krijuesi të talentuar, e një pende të fuqishme të letërsisë sonë për fëmijë.