Vaksinat dhe COVID-19, IKSHPK tregon rëndësinë, përmbajtjen dhe efikasitetin e tyre

30.07.2021 12:01:56

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19, në kohën kur po vërehet shtim i rasteve.

IKSHPK përmes një njoftimi për media ka njoftuar qytetarët për rëndësinë, efikasitetin dhe përmbajtjen e vaksinave.

Lexoni të plotë njoftimin e IKSHPK-së.

Çka është vaksinimi?

Vaksinimi është mënyra më e thjeshtë, më e sigurt dhe më efektive për të mbrojtur njerëzit nga sëmundjet e dëmshme.

Vaksinimi përdor mbrojtjen natyrore të trupit tonë për të krijuar rezistencë ndaj infeksioneve specifike dhe e fuqizon sistemin imunitar.

Pse është i rëndësishëm vaksinimi?

Sepse shpëton jetë. Sot kemi në dispozicion vaksina për t’u mbrojtur nga të paktën 20 sëmundje të ndryshme, siç janë: difteria, tetanozi, paraliza e fëmijëve, gripi, fruthi, kanceri i qafës së mitrës, kolera, Covid-19, hepatiti, parotiti, meningjiti, etj.

Së bashku, këto vaksina shpëtojnë 3 milionë jetë njerëzish çdo vit, sidomos në vendet e pazhvilluara.

A janë të sigurta vaksinat?

Vaksinimi është i sigurt dhe efektet anësore nga një vaksinë janë zakonisht të vogla dhe të përkohshme, si p.sh. dhembje krahu dhe ethe. Efektet anësore më serioze janë të mundshme, por janë jashtëzakonisht të rralla.

Çdo vaksinë e licencuar testohet me rigorozitet në të gjitha fazat e hulumtimeve klinike para se të miratohet për përdorim.