Valdet Zekaj gjykatëses maqedonase: Ju po doni luftë por do të humbni keq

06.06.2017 17:41:05

Disa pjesëtarë të grupit të Kumanovës përsëri bojkotuan senacën gjyqësore dhe hynë në konflikt me gjykatësen Verka Petrovska, pasi që ajo nuk pranoi asnjë dëshmitar dhe provë të propozuar nga mbrojtja.

Ishte Shefqet Hallaçi i cili nisi valën e largimeve nga salla duke ia bërë me dije gjykatëses se nuk po gjykon drejt dhe se është nën diktat politik.

“Duam të dalë e vërteta. Tek përgjimet e prezantuara ka manipulime. Te fotografitë që na i prezantuat duket një njeri me uniformë të UÇK-së që ne nuk e njohim, nuk është prej grupit tonë. Kush është ai”, pyeti Hallaçi. Por në vend të përgjigjes ai u largua me urgjencë nga salla e gjykatës.

E njëjta fotografi edhe me Valdet Zekajn e rebeluar i cili i e kërcënoi gjykatësen se përsëri do të ketë luftë.

Valdet Zekaj – “Ju po doni luftë por do të humbni keq. Më vjen shumë keq për juve, por kështu është kur nuk ke shokë. Ju po e vrani popullin shqiptar. Nuk ka më këtu Rusi, këtu është Amerikë. Good bless America”, bërtiste me sa kishte zë Vladet Zekaj.

Komandant Malisheva i tha Verka Petrovskës se do të mbarojë sikur ish kryeministri Nikolla Gruevski.

Andi Krasniqi – “Gruevski do të shkojë burg, edhe ju me të do të shkoni në burg”

Rufki Dogani – “Ne nuk jemi kriminel, as terrorist. Ne nuk do ta harrojmë këtë kurrë”

Verka Petrovska – “A po më kërcënoheni? Kuptoni që nuk keni asnjë dobi prej kësaj që po e bëni”

Sami Ukshini – “Ne nuk e pranojmë këtë gjykatë, dhe kjo dihet. Nuk e kam dert për vete, kur kam qëndru 2 vite në burg, mund të qëndroj edhe 2 vite të tjera, por e kam dert për avokatin që e keni dënuar kot”

Enver Hoxha Klein – “Ky nuk është proces gjyqësor, ky është maskarallëk. Më nxirrni prej këtu”

Nga salla gjyqësore të akuzuarit dilnin një nga një. Çoheshin në këmbë me ose pa mesazh për gjykatësen dhe vetë ua ofronin duart policëve për tua vënë prangat, ndërsa pasi një numër i madh të akuzaurisht lëshuan sallën, gjykatëses më nuk i bënte përshtypje dhe vazhdonte me leximin e provave të refuzuara të mbrojtjes.

Kjo është seanca e tretë me radhë ku të akuzuarit e revoltuar kërkojnë të largohen nga salla pasi nuk duan të dëgjojnë refuzimin e provave dhe dëshmitarëve. Por sot kishte më pak të akuzuar që lëshuan sallën. Ishin afro 15 që gjykatësja i largoi, ndërsa të tjerët të këshilluar nga gjykatësja dhe avokatët qëndruan për të dëgjuar fjalimin e gjykatëses. Seanca e ardhshme gjyqësore është pasnesër.